Franc NURI
Lajmi se aplikacioni « Tiktok » do të mbyllet për 1 vit nga qeveria shqiptare, do t’i kthehet në një boomerang Edi Ramës. E nisur me idenë për të çensuruar fjalën e lirë në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit 2025, pasojat negative nga një akt i tillë nuk prekin vetëm të rinjtë, por do të kenë pasoja të paimagjinueshme edhe në bizneset e vendit, të cilat e përdorin përditë « Tiktok » për publicitet dhe reklamim të mallrave dhe shërbimeve të tyre, apo kontakte me klientelën jo vetëm në Shqipëri por edhe në Rajon e mbarë Botën.
Sa bare, restorante, agjenci imobiliare, agjenci udhëtimi apo turistike, hotele, dyqane apo edhe shërbime avokatie përdorin Tiktok sot në Shqipëri për marketing ? Sa marketing mori Shqipëria për turizmin këto vitet e fundit vetëm nga blogerët apo influencerat e huaj që përdornin këtë platformë?
Mos harroni se, në kushtet kur përdorimi i Tiktok duket se ka tejkaluar atë të Facebook dhe Instagram, si dhe, ndryshe nga këto të fundit, mundësia për reklamim falas të mallrave dhe shërbimeve në Tiktok, e bën këtë platformën më të përdorur në vend dhe Rajon.
Janë me mijëra e mijëra individë apo biznese që përdorin Tiktok për reklama dhe marketing. Nesër, të gjithë këto biznese dëmtohen rëndë nga mbyllja me « ligj » të Qeverisë të një aplikacioni që ka vite që përdoret masivisht në mbarë Botën.
Të gjithë këta individë që preken nga kjo masë ekstreme dhe disproporcionale, do të jenë vota kundër kësaj Qeverie në 11 Maj 2025.
Por kjo çështje duhet parë me vëmendje edhe nga pikëpamja Kushtetuese dhe Ligjore! Demokracia dhe Shteti i së Drejtës duhet të garantojë Lirinë e shprehjes, lirinë e fjalës dhe të mendimit. Ndaj këto liri nuk mund të kufizohen në mënyrë totale dhe disproporcionale. Gjithashtu, Kushtetuta jonë garanton edhe lirinë e veprimtarisë ekonomike, si një parim i cili nuk mund të kufizohet në mënyrë disproporcionale.
Ndalimi i çensurës është një kusht minimal për një Shtet të së Drejtës, cënimi i të cilit na çon në vitet e errëta të Diktaturës Hoxhiste, kur Shqiptarët dënoheshin pse dëgjonin në Radio Zërin e Amerikës apo shihnin San Remon në TV.
Në kushtet kur të gjithë e kuptojnë fare qartë se mbyllja nga Qeveria e Tiktok nuk ka për qëllim real ato që deklarohen prej saj, por mbylljen e një platforme lirie që përdoret masivisht nga shumica e Shqiptarëve, në kushtet kur nuk e kontrollon dot siç bën me 90% të mediave tradicionale – reagimi i qytetarëve Shqiptarë do të shprehet me votë kundër kësaj qeverie në 11 Maj 2025.