“Kush rron duke shpresuar”…

Nga Ramadan Pasmaçiu

t r e g i m

Atë e prunë në spital natën. Me autoambulancën e urgjencës. Gjetën një krevat të lirë pranë meje dhe e shtruan aty. Ishte me temperaturë dhe rënkonte lehtë. Gjer në mëngjes nuk mbylla sy as unë. U ngrita dhe nisa t’i sillesha rrotull, pa ditur si t’i vija në ndihmë. Dy herë shkova dhe thirra infermieren.

Herën e parë ajo m’u përgjigj me të qeshur:

– Uh, hahahaaa! Mos kij merak, se ia lexova anamnezën! As ndonjë gjë që të dhemb fort s’ka, e as ndonjë gjë me rrezik! Por, duket, qenka tip zevzek! Do e bën gurgulenë! Shko e këputja gjumit ti! Atë bëj!

Herën e dytë infermierja m’u përgjigj e nxehur:

– E di që po më mërzit shumë? Nuk dëgjove ç’të thashë qëparë!? Hajt, shko e fli tani dhe lëmë edhe mua t’i pulit pak qepallat!

Kur zbardhi dita, i sëmuri i ardhur rishtas sikur u qetësua.

Kishte ballë të gjerë anëve dhe flokë të thinjur me onde. Fytyra e tregonte të mbajtur. E lëmuar, thuajse pa asnjë rrudhë. Sytë – të mëdhenj, të kaltër. Ishte i afrueshëm, i sinqertë. Fliste me një zë të butë, të urtë.

– Ju lashë pa gjumë edhe juve, të thuash të vërtetën! – më tha me keqardhje. – Më falni shumë!

– Ç’është ajo! – ia ktheva buzagaz. – Nga qejfi s’rënkon njeriu!

Më tregoi si me turp shqetësimin e tij.

I paskësh dalë qysh dy – tri javë më parë një si puçër e kuqe, e vockël, tepër e vockël, poshtë, te testikula e majtë, po nuk i kishte dhënë rëndësi. Më tej, ditë pas dite, ajo i qenkësh zmadhuar, i digjte e i përvëlonte. I jepte dhimbje, që i ngërthenin tërë pjesën e fundit të barkut. Pati provuar lloj – lloj melhemrash, por më kot! E kish lyer me jodio, alkool, pudër, të verdhë veze të skuqur, rifocinë, gjer edhe i kishte vënë sipër qepë e sapun, me shpresë se mos i shërohej, por përsëri kot!

Tunda kokën. “Ç’bën injoranca! – thashë me vete. – E kërkon ndihmën e mjekësisë, kur e sheh që nuk ka nga t’ia mbajë! Dhe jo si njerëzit me shkollë, që sulen te mjeku me shqetësimin e parë!” Po ç’faj kish i ziu, në ishte njeri i pashkolluar! Nga t’ia dije rrethanat jetësore, që e kishin lënë të atillë!

Në këto e sipër më erdhi keq për të dhe kërkova të merrja me mend se cili ish profesioni i tij. Herë më ngjante si berber, herë si kamerier, si banakier… Por, nga berberi anonte më shumë, gjersa ishte gjithnjë i rruar dhe fliste me mirësjellje. Kush e ka mirësjelljen e berberëve! A nuk të lodhin, kur të rruajnë a të qethin, me njëqind pyetje! Si i keni nga shtëpia? Si shkoni me punë? Si ashtu e si kështu? Dhe s’e reshtin atë buzëqeshjen e shpëlarë fillim e mbarim!

– Si nuk shkove menjëherë te doktori, or burrë i dheut!? – e pyeta serioz.

Ai, përsëri si inferior para meje, se sigurisht e ndiente se kishte të bënte me një djalë të arsimuar e jo me një si veten, m’u përgjigj ëmbël – ëmbël:

– Më vinte edhe një çikë zor, të thuash të vërtetën, se është në vend ters puçra e uruar!

– Gabim! – i dhashë mend unë. – Burra jemi, s’jemi gra! Edhe gratë, tek e fundit, kur kanë sikletet e tyre, pa doktorë s’bëjnë dot!

– Po, po! Ashtu është! Ndaj shkova në ambulancën e lagjes, të thuash të vërtetën, veç para katër – pesë ditësh, ama, si m’u mblodh keq.

– Aaaa! Vonë! Shumë vonë!

– Vërtet, djalë! Eee, ku e pata fjalën? Më dhanë ca gjilpëra atje, po hiç, një vërë në ujë, të thuash të vërtetën! Kësisoj, u katandisa të thërrisja në shtëpi urgjencën. Dhe ja, tek më sollën këtu, në kirurgji! Tani të shohim! Vëntë dorë natyra, se, të thuash të vërtetën, frikë të madhe kam! Ja, kështu, djalë!

– Shtyje frikën tutje, – i thashë, – se s’ka sëmundje pa ilaç! Tani je në duar të doktorëve! Apo s’janë shpuzë këta të kirurgjisë! Artistë fare janë! Atë që ke ti s’e kanë për gjë! Ta dish prej meje! Çrëk – frëk do të të shërojnë! Dëgjon? Dhe kij besim më shumë! Po më bëjnë njeri mua, që erdha në spital me një këmbë në varr! – Desha t’i tregoja diçka për vete, që ta qetësoja mirë, t’i jepja zemër, po s’arrita. Hyri papritur mjeku i dhomës, një kirurg djalosh, i gjatë e trupngjeshur, që ta mbushte syrin.

– Mirëmëngjesi! – na tha të dyve dhe iu drejtua atij: – Hë, profesor, si u gdhitë?

– Ja, mo, Berti djali, të thuash të vërtetën, – iu përgjigj ai, – s’kam fjetur gjithë natën! Ç’qe kjo që më zuri!?

– Oooo, ju lutem! – buzëqeshi kirurgu. – Ju të flisni kështu!? Kaq me pesimizëm!? Ju që na keni mësuar!? E përse? Për ca punë çikërrimash!

Dhe vazhdoi t’i thoshte se së shpejti do të bindej që gjithçka do të kalonte për bukuri. Qysh atë mëngjes do t’i bënin ca analiza, por do t’i fillonin paraprakisht edhe njëfarë mjekimi. Ai pa orën.

– Ja, pas pak, do të jemi këtu për konsultë tërë mjekët e pavionit.

Kur mbetëm vetëm, si mora vesh i befasuar se pranë meje ishte profesori e jo i pashkolluari, berberi, kamerieri a banakieri, që të mos dukesha i pagdhendur, e ndryshova menjëherë formën e komunikimit. I tregova emrin e mbiemrin. Nisa t’i flisja me “ju”. I tregova ç’punë bëja e nga se vuaja. Dhe ai më tha se e quanin Sotiraq, se ishte pedagog në Shkencat e Natyrës, e të tjera, e të tjera.

– E keni titullin profesor, besoj!

– E kam, e çë! Ç’peshë ngre titulli! Puçra, kur do, të del atje tek s’thuhet, qofsh makar president i Amerikës!

Unë nuk qesha. E vështrova i heshtur, i menduar. Profesori shtoi se merrte vesh nga ato soje puçrash, s’ishte profan, ndaj qe i shqetësuar. Ca më tepër, që s’i kishin bërë efekt turli mjekimesh në shtëpi!

– Ja, kjo është! Së paku, gjer tani s’më ka dhënë të kuptoj gjëra të mira. Për më pas nuk di ç’të them! S’dal dot mbi natyrën, të thuash të vërtetën!

Këtë shprehje e përdorte shpesh, veç si rrjedhë logjike të atyre që thoshte. Ndaj ajo nuk m’i vriste veshët dhe ai nuk bëhej i rëndë në bisedë. Përkundrazi! Mbetej tërheqës.

Mjekët i morën dy – tri herë gjak për analizë, i morën urinën në orë të ndryshme të ditës dhe kampion për biopsi. I regjistronin temperaturën rregullisht si çdo të sëmuri, por edhe kurat ia nisën menjëherë. Antibiotikë në formë gjilpërash e hapash dhe barna të tjera. Megjithatë, ditët kalonin dhe gjendja ngelej përsëri e errët. Aty – këtu vërehej ndonjë përmirësim i vogël, po që shuhej shpejt. Dhe më e keqja ish se po fillonte enjtja, një enjtje me ngjyrë të frikshme, mavi në kàfe, që, siç ma shpjegonte profesori, po shtrihej nga e majta në të djathtë, duke përfshirë edhe testikulën tjetër e duke ia shtuar dhimbjet.

Tashmë ai nuk fliste shumë, madjé rrinte orë të tëra me kokën nën batanie. Shtirej sikur flinte. Por, isha i bindur se me atë mbyllje në vetvete, u dorëzohej mendimeve të tij të kobshme. Hidhej e pritej prej tyre si një gogël, duke u përplasur nga një çast në tjetrin nëpër paretet e ftohta metalike të fundit tragjik.

Erdhi me një shiring në dorë infermierja, së cilës i kisha kërkuar ndihmë qysh natën e parë të ardhjes së tij.

– Ç’bën profesori, vetëm fle!? – më pyeti mua si e habitur dhe ia tërhoqi batanien ngadalë. – Kthehuni përmbys, profesor! Do t’ju bëj gjilpërën! – Po, tek vërejti se fytyra e tij ishte tjetërsuar nga tmerri, mbaroi punë duke psherëtirë dhe i tha: – Asgjë s’keni! Asgjë fare! Kot bëheni merak! Sa kam parë unë këtu! Por, është më keq me ju që jeni me kulturë shumë e me shkollë të madhe, se kujtoni që i dini të gjitha dhe vetëm tek e keqja ju vete mendja. Kurse ata që janë me tri – katër klasë, e stakojnë trurin që séfte, s’e vrasin kokën fort, dhe e shtyjnë në qetësi e me shpresë. – Pastaj ajo qeshi, por lehtë dhe ëmbël.

Profesori ia ktheu:

– Të thuash të vërtetën, kanë një proverb italianët: “Chi vive speranto, lui more cacando!” – Dhe çuditërisht, ia dha gazit së pari herë.

Infermierja m’u afrua dhe unë ia përktheva në vesh. U shqye së qeshuri edhe ajo pas profesorit, njësoj si asaj nate, me hahaha-ra të zgjatura. Tek largohej, u ndal te pragu i derës dhe shtoi duke tundur gishtin:

– Ne i kemi proverbat tona shumë më të mira, profesor! “As guri nga thika, as burri nga frika!” – Dhe doli.

Profesori i thirri nga pas:

– Eja prapë, eja prapë, se qenke ilaç! – Dhe nuk e mbuloi më kokën. Ndenji për pak si i menduar e m’u kthye mua:

– E zgjuar, grua e zgjuar, të thuash të vërtetën! Neve, që, demek, kemi ca gramë, ku nuk na shkon mendja dhe bëhemi një dorë. E unë, jo se kam frikë nga vdekja, se njeri jam e njeriu një herë vdes, po doja që më parë t’i kisha mbyllur ca halle. Një vajzë të vetme që kam, për shembull, është ende e pafejuar. S’dua t’ia nxij zemrën, pa e çuar në rehatinë e saj. Po ime shoqe? Në moshën që ka, vetëm të mbetet?… Janë edhe gjëra të tjera, të thuash të vërtetën, plot gjëra të tjera janë, që…

Ai s’vazhdoi dot. Zëri iu pre e iu mbushën sytë. Pra, e paskësh ndarë mendjen se ishte me… S’ma bën goja ta them!

Dhe ja, u duk në mesditë mjeku i dhomës, Berti. Ai vinte shpesh aty. Ulej pranë profesorit dhe bisedonte me të miqësisht. Jo veç për sëmundjen, por për tema të ndryshme. Vinte jo vetëm si mjek, po edhe si mik e vizitor, t’i largonte shqetësimin, ta ushqente me humor. Kurse këtë radhë atij vetë i mungonte humori. Erdhi pak si me druajtje. U kuptua edhe nga hapat që bëri tek hyri. Të ngadalëshme, si në majë të gishtave.

– Hë, profesor, si shkojnë punët? – e pyeti duke iu ulur pranë e duke ia fërkuar dorën.

– Di unë! Ju, mjekët, ç’thoni?

– Po ju, si ndjeheni?

– Ç’të ndjehem! Gur në rrokullimë, të thuash të vërtetën!

– Aaaa, ju lutem, ç’është kjo fjalë! S’keni aspak të drejtë! A nuk ju kam thënë qysh në fillim se gjithçka do të shkojë mirë!?

– Po ku është e mira, ku është!? Unë, Berti djali, çdo ditë bëj tatëpjetë, të thuash të vërtetën! Siç duken bathët e priftit, s’ka pashkë sivjet!

– Ka, ka! Si s’ka! – ia ktheu kirurgu. U përkul mbi të dhe tundi kokën si me qortim. Pastaj u prapësua dhe mblodhi buzët. Sikur pengohej të thoshte diçka. Më në fund, i tregoi profesorit se të gjithë mjekët në konsultë kishin menduar që ekziston një mënyrë e shpejtë për shërimin e tij, një mënyrë fare e shpejtë. Dhe ajo do të ishte rruga më e mirë, më oportune, e jo duke pritur gjatë efektin e mjekimit.

– Po, hë, more, Berti djali! Ta marrim vesh, të thuash të vërtetën!

Mjeku iu përgjigj se ishte fjala për një operacion të thjeshtë.

– Përse, mo, përse the!?

– Duhet t’jua heqim testikulën e majtë, profesor, duhet patjetër t’jua heqim!

Profesorit iu ndal fryma.

– Vetëm të majtën?

– Po, po! Vetëm të majtën!

Profesori piu një gllenjkë ujë dhe pastaj prapë e pyeti kirurgun me gjysmë zëri:

– Je i bindur, biri im?

– Qind për qind!

– Dhe më pas ç’ngjet me mua?

– Kurrgjë e keqe! Dy ditë, tri, le të themi katër, do të rrini këtu në observacion pas operacionit. Pastaj do të jeni i aftë të ktheheni shëndoshë e mirë në shtëpi, si kokrra e mollës, për të vazhduar jetën dhe punën normalisht.

– Të të besoj, Berti djali?

Kirurgu qeshi paksa.

– Si jo!

Profesor Sotiraqit nuk po i vinte fytyra në vend. Ai heshti për disa çaste, u mbush me frymë dhe iu afrua kirurgut disi më shumë.

– A t’ju them diçka në vesh? Se, të thuash të vërtetën, s’dua të më dëgjojë ky i riu!

– Jo, jo! Asgjë s’keni ç’të më thoni! Ju kuptoj fare mirë. Funksioni i organit do të vazhdojë të jetë, si gjithmonë, i rregullt.

– Edhe për këtë të të besoj, Berti djali?

– Patjetër!

– Mos duhet konsultuar edhe me ndonjë mjek të këtij specialiteti?

– Aspak!

– U bëftë, de! Të thuash të vërtetën, për operacionin e kam fjalën!

Kirurgu e përqafoi profesorin, i shtrëngoi dorën dhe e porositi që, ndonëse ai i tij nuk qe operacion plot goja, rregulli e kërkonte të mos hante ushqim në darkë. Pra, të pinte vetëm çaj. Dhe u largua.

Bashkë me mbrëmjen, si ta dërgonte dreqi vetë, erdhi në dhomë infermierja tashmë e njohur. Ajo iu qas edhe më atij dhe i foli si e gëzuar:

– A ju thashë që s’keni gjë? Ja, një bisturi nesër dhe do të shkoni prapë te plaka!

Profesori, edhe pse nënqeshi, ia ktheu i prekur:

– Aaaa, ju lutem! Mos flisni ashtu! E kam të re gruan! Po edhe vetë plak s’jam, të thuash të vërtetën!

Infermieren sikur ta kishe shpuar befas nga pas me ndonjë majë gjilpëre! Ajo u vërvit përpjetë dhe i tha përmes një të qeshure të papërmbajtur:

– Uh, hahahaaa! Do të shohësh tani, që do t’jua heqin! Uh, hahahaaa! – Dhe doli duke rrahur gjunjët me pëllëmbë.

Profesorit sa s’i ra të fikët.

– Moj shoqe, moj motër, moj zonjë, ju lutem, kthehuni pak! – nisi të thërriste me zë të mekur. – Kthehuni pak, se, të thuash të vërtetën, vetëm një pyetje kam, vetëm një pyetje!

Po infermierja tashmë ishte larguar dhe as që e dëgjonte. Atëherë ai m’u drejtua mua dyllë i verdhë:

– Ç’tha ajo ashtu, mor djalë? Se, të thuash të vërtetën, ma bëri gjakun ujë!

– Më vjen keq, profesor, që i besoni asaj! – u përpoqa ta qetësoja. – Nuk e shihni ç’llafazane është!?

Po ai nuk u qetësua.

– Këtu diç los, se, të thuash të vërtetën… – S’po dinte ç’të shtonte. Mezi merrte frymë. Pas pak, m’u lut: – Bertin desha, vetëm Bertin! Ai e shkoqit këtë punë! Ai! A ma gjeni dot? Hë? Si?

Dola, e kërkova nëpër pavion. S’dukej kurrkund. Pyeta mjekun e rojes. Më tha se ishte në shtëpi. Iu luta t’i telefononte e të më lidhte me të, se kisha një problem të ngutshëm. I telefonoi pa ma zgjatur dhe më dorëzoi receptorin. I thashë Bertit se e priste profesori të vinte sa më parë. E tillë ishte puna. Po të mos vinte, zor ta gdhinte natën pa ndonjë pasojë të rëndë!

Ai ia mbërriti qull në djersë, jo më vonë se pas njëzet minutash. E kishte bërë rrugën me biçikletë. Vrapoi drejt profesorit, i preku pulsin dhe e pyeti:

– Ç’është!?

Dhe ky i tregoi duke iu mbajtur goja gjithë ç’kish ndodhur. Berti u nervozua.

– Po pse, ju lutem, me shakatë e infermieres shkoni ju, profesor!? Hajt, pa di unë ç’i bëj! – U nis të delte, por profesori e ndali. Atëherë kirurgu i përsëriti, duke theksuar mirë çdo fjalë, tërë çfarë i pati thënë atë mesditë.

– Pra, Berti djali, vetëm të majtën, hë?

– Po, po, po! Dhe asnjë pasojë s’do të ketë për vitalitetin tuaj! Më lejoni t’jua them më hapur?

– Ashtu, ashtu! Më hapur, më hapur!

– Do të jeni si më parë në marrëdhëniet intime me bashkëshorten!

Profesorit iu mbush fytyra me gjak.

– Të mundova, bir! – i tha dhe e puthi në ballë. – Po, të thuash të vërtetën, ajo e marrosura më luajti mendsh!

– Lëreni atë! Apo të shkoj ta marr e ta sjell t’ju kërkojë të falur?

– Bah! Ç’më duhet pendesa e saj! Mua, të thuash të vërtetën, vetëm këto që më the ti më duheshin. Kthehu në shtëpi tani, kthehu e çlodhu!

Kirurgu e përqafoi profesorin dhe u largua, duke na tundur dorën nga pragu i derës.

… Operacioni i profesor Sotiraqit shkoi mirë. Orëve të para ai nuk ankohej më për dhimbje e as për temperaturë, veçse ndjente ca djegie atje poshtë, po ato qenkëshin të lehta e s’u jepte rëndësi. Ishte i kënaqur dhe gjithë besim. Gruan, vajzën dhe tërë të afërmit i largoi shpejt, se, sipas tij, të thoshje të vërtetën, nuk kishin përse bëheshin merak.

Të pasnesërmen, kur erdhi kryeinfermieri dhe po e mjekonte, ai i shkeli syrin dhe e pyeti si me shaka:

– Rakip, ju lutem, sa shikoni aty, një apo asnjë?

– Është njëra, profesor, është! Ja, t’jua prek!

– Oooo, ç’bëni ashtu, mor i uruar! Më dhembka ca, të thuash të vërtetën! Shumë e shtrënguat!

Qeshi bashkë me kryeinfermierin. Dhe ishte i lumtur. Sa s’fluturonte! I pëlqente të fliste pareshtur, të tregonte gjëra gazmore, të shkrihej gazit vetë, po edhe të tjerët të qeshnin. Atë humor tashmë ia kisha zili.

– Të thuash të vërtetën, shtatë më vanë kësaj radhe!

Më vuri te komodina nja dy pako llokume, biskota, ca mollë Korçe të kuqe flakë, e ku di tjetër çfarë…

– Profesor, mjaft!

– Hajt, hajt, se të thuash të vërtetën, ju kam pasur djalë, shok e vëlla në orë të vështira! Por, më njohët keq këtu! Nuk e dini ju se ç’është Sotiraqka! Ka një zemër floriri, të thuash të vërtetën, dhe do që të gjithë njerëzit e botës të jenë pa halle! Pooosi!

Prej operacionit patën kaluar gjashtë ditë. Profesori ndihej si jo më mirë. Shkonte vetë në banjë, shëtiste nëpër korridor, u afrohej të sëmurëve të tjerë, i pyeste, u jepte forcë. Dhe kur përpiqte me ndonjë, që nuk ishte me familje në Tiranë, shkarkonte në komodinën e tij të gjitha ç’i kishin sjellë. Një çast më tha:

– Mo, po, atë Bertin s’na e zunë sytë fare sot! Ç’është kjo punë!

– Ka qenë gjithë ditën në kirurgji! – ia ktheva. – Do të jetë lodhur shumë dhe do të ketë shkuar në shtëpi të shtrihet.

– Ashtu thoni?

Të nesërmen, sa erdhi, profesori e pyeti:

– Edhe sot nuk do të dal!? Të thuash të vërtetën, jam mirë, bre, fare mirë! Ç’më mbani më këtu!?

– Të shohim nga dreka, profesor! Mund edhe të dilni!

Por Berti djali u kthye më herët te ne, pa vajtur ora dhjetë. Ishte tym. Me një fytyrë – sterrë. Ballin – të rrudhur dhe buzët – të mbërthyera. U ul pranë profesorit si me përtim.

– Ah, mor profesor! – tha befas. – Kam një lajm… kam një lajm… Po, s’e them dot!

– Çfarë lajmi, mo Berti djali!? Thuaje shpejt, se të thuash të vërtetën, po më bie pika!

– Thashë që s’e them dot, se s’është lajm i mirë!

– Është i keq!? – pyeti profesori syshqyer.

– Po! Siurdhëron! I keq! Veç mos u shqetësoni! S’ka asgjë për t’u shqetësuar, po për t’u nervozuar, për të protestuar, për të thirrur e sharë!

– Aaaa, tani më shushate! S’po të marr vesh, të thuash të vërtetën!

Po kirurgu s’e la më gjatë në agoni. Ai i shpjegoi se sapo kishin dalë përfundimet e biopsisë. Dhe ato tregonin që…

– Unë s’mund t’jua fsheh, se jeni shok i tim eti, po edhe se ju kam pasur pedagog! Pra, do t’jua them, sido që ta prisni!

– Po, hë, mo Berti djali, se po më zihet fryma! Mos duhet hequr edhe tjetra? Fol, de, se po më ngrin zemra!

– Jo, jo! Përkundrazi! Në rastin tuaj s’kishim të bënim me kurrfarë elementi kanceroz, as meninj e as beninj! Pra, edhe testikulën e majtë jua hoqëm gabimisht. S’kishte asnjë arsye që t’jua hiqnim. Puçra do të kalonte me mjekim.

Sa dëgjova këto fjalë, u drodha i tëri. U rrënqetha. Mishi m’u bë kokrra – kokrra. Kërceva përpjetë mbi shtrat. Isha gati t’i hidhesha Berti djalit në fyt. Ç’kirurgë qenkëshin ata!  Si i bënin ato punë pa gàle fare! Edhe me kafshët duhej më shumë maturi e jo më me njerëzit! Prita që profesori ta mbërthente Berti djalin për leshrash. Prita që ta pështynte, ta kafshonte, ta gricte me thonj… por… ah!

Ai… Zot, ku je! As u mërzit e as protestoi! Veç ngriti grushtet lart, si ata që triumfojnë në ring! Dhe thirri i qeshur:

– Fitore! Fitore!

Pastaj iu hodh kirurgut në qafë me mirëdashje. E puthi në ballë, siç e kishte puthur aty ca ditë më parë. E puthi edhe te faqet. Doli nga shtrati, u ngrit në këmbë e u sul drejt meje.

– Më lejoni t’ju përqafoj e t’ju puth edhe ju! – më tha. – Se, të thuash të vërtetën, kjo është fitorja më e madhe, që kam korrur në jetë!

Unë ngriva syhapur. Po edhe Berti ngriu syhapur. E pyeti i trembur dhe me një zë si të zvargur:

– Ndjeheni mirë, profesor? Për çfarë fitoreje flisni!? Ç’gëzoni kështu!?

– Si të mos gëzoj, Berti djali! Kam shpëtuar për një qime! Mund të m’i kishit hequr të dyja! Ashtu, gabimisht! Me ç’sy e faqe pastaj, do t’i dilja bashkëshortes përpara, të thuash të vërtetën!

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply