Nga Bujar LESKAJ
Sot, 15 janar 2022, mbushen 23 vjet që kur forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër popullit të Kosovës dhe njerëzimit në Reçak.
Masakra e Reçakut ishte ngjarja ku bota përfundimisht pa dhe kuptoi fytyrën e regjimit të Millosheviçit, barbarinë dhe gjenocidin serb në Kosovë.
Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, ashtu si nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Gjakovën e shumë fshatra e qytete të tjera të Kosovës në të cilat u regjistruan mbi 400 masakra e qindra mijëra të vrarë, plagosur, dhunuar e dëbuar nga trojet e tyre gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.
Policia, ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, duke bërë që të përshpejtohej ndërhyrja e NATO-s në ndihmë të popullit të Kosovës.
Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, i tronditur kishte denoncuar se në Kosovë po ndodhte një krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmerrte misionin ushtarak, pas të cilit Kosova fitoi Pavarësinë.
Masakra e Reçakut dhe gjenocidi serb në Kosovë nuk duhen harruar, “për hir të së ardhmes dhe Ballkanit të hapur”, përndryshe Historia do të na gjykojë e dënojë!