Lideri historik i PD, Sali Berisha ka demaskuar sot me forcë qëndrimin e dyfishtë, siç e konsideroi ai, të qeverisë shqiptare lidhur me pushtimi e Ukrainës nga Rusia. Berisha tha se, ”Rama, pas deklaratës së tij se Rusia nuk është një vend armik (para një jave), dje përsëri mbrojti një nismë që e shndërron Ballkanin në zonë influence të Rusisë dhe zonë hegjemonizmit të Rusisë së Vogël apo Serbisë në Ballkan”.
Berishës iu drejtuan dy pyetje për këtë luftë që po zhvillohet në konferencën e sotme për shtyp nga Shkodra së bashku me kandidatin Bardh Spahia të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.
- Berisha, kalojmë tek sektori i padëshirueshëm i luftës, kryeministri i Britanisë Johnson ka hequr një paralele midis Putinit dhe Millosheviçit. Nëse keni ndonjë koment, do të ishte me interes? Pyetja tjetër: ju keni qenë ën detyrat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, edhe Kryeministër, edhe President, si e parashikoni fundin e luftës në Ukrainës?
Sali Berisha: Boris Johnson e ka krahasuar me shumë të drejtë mendoj unë, Vladimir Putinin me Sllobodan Millosheviçin. Që të dy dëshmohen diktatorë gjakësorë. E vërteta është se në rrafshin politik, skena e përdorur nga Vladimir Putini është një kombinim midis Millosheviçit dhe Hitlerit dhe, sigurisht që kasaphana e Millosheviçit është me “reçente”, por rikthimi tek pushtimi i vendeve si brez sigurie, të rikujton pushtimin e Çekosllovakisë nga Gjermania naziste dhe pushtimin e Polonisë nga Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik së bashku.
Pyetja tjetër juaja lidhur me luftën…Është një luftë në zemër të Europës. Vendi i dytë më i madh në sipërfaqe në Europë është sulmuar nga vendi fqinjë, është sulmuar nga Rusia. Ukraina është një vend i lirë, demokratik, me zgjedhje të lira, që kërkon të vendosë vetë fatin e saj. Rusia u dëshmua se është e gatshme për një konflikt botëror. Kjo është e vërteta në sulmin që ndërmori ndaj Ukrainës. Diplomacia botërore dështoi në parandalimin e këtij sulmi.
A do të ketë shtrirje të këtij konflikti?!
Doktrina që zbaton Vladimir Putin është dokrina e Sovranitetit të Kufizuar mbi bazën e së cilës, Leonid Brezhnjev pushtoi në vitin 1969, Çekosllovakinë; është doktrinë lufte dhe e përhapjes së luftës.
SHBA dhe NATO kanë deklaruar se janë të vendosura të mbrojnë çdo inç të territoreve të NATO dhe unë besoj plotësisht në këtë deklaratë, por gjakderdhja në Ukrainë është një plagë e rëndë në ndërgjegjen e njerëzimit, e vendeve dhe njerëzve të lirë.
Gjithashtu dua të theksoj se distancohem plotësisht nga qëndrimi i dyfishtë i Edi Ramës. Shqipëria zyrtare nga njera anë ka mbështetuar Aleancën e Atlantikut të Veriut në qëndrimet e saj dhe ka dënuar agresionin në rezolutën e Këshillit të Sigurimit, por nga ana tjetër vazhdon të mbështesë “Ballkanin e Hapur”, nismë kjo e kryesuar tërësisht nga Serbia.
Serbia siç e dini, nuk e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës. “Ballkani i Hapur” në të vërtetë është një aleancë trelaterale, asgjë tjëtër, Beograd-Shkup-Tiranë, e tëra e dominuar nga Serbia dhe e tëra për llogari edhe të Rusisë.
Edhe dje Edi Rama ka mbrojtur “Ballkanin e Hapur”. Pra, pas deklaratës së tij se Rusia nuk është një vend armik para një jave, dje përsëri ai mbrojti një nismë që e shndërron Ballkanin në zonë influence të Rusisë dhe zonë hegjemonizmit të Rusisë së Vogël apo Serbisë në Ballkan.
“Z. Berisha, cila është perspektiva e “Shtëpisë së Lirisë”, do të mbyllet më datën 7 mars apo do të avanconi deri në krijimin e një grupi parlamentar?”
– Kjo ishte një nga pyetjet që iu drejtua sot në Shkodër nga gazetarët, ish-kryeministrit Sali Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me kandidatin për kryetar bashkie të këtij koalicioni, z. Bardh Spahia.
Berisha u përgjigj: “Shtëpia e Lirisë” është një aleancë elektorale, sigurisht sepse kjo erdhi si rezultat i rrëmbimit të logos të PD nga Edi Rama për llogari të Lulzim Bashës, me policë dhe me gjykatës.
Por edhe po të mos qe kjo, ne në koalicion do të ishim dhe unë dua t’ju siguroj ju, se sapo të përfundonim problemet e ristrukturimit të brendshëm të partisë, ne do të kalonim në zgjerimin e madh të frontit të revolucionit paqësor demokratik me forca të tjera politike që duan të qëndrojnë si opozitë e vërtetë dhe jo pseudo-opozitë, përfshirë këtu intelektualë, shoqërinë civile e të tjerë me radhë.
Pra, ky front me këtë emër është elektoral, por pas zgjedhjeve do të jetë një front edhe më i gjerë se ky që do të përballet me narko-shtetin në Shqipëri”.