Kandidati i koalicionit opozitar ‘Shtëpia e Lirisë’ për Bashkinë e Durrësit, Ardian Muka, deklaroi nga Xhafzotaj se në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit do të bëhet ndryshimi i madh. Muka deklaroi se, bashkia e Durrësit do t’i kthehet qytetarëve ndërsa theksoi se Vangjush Dako po përpiqet që tani që të manipulojë votat në favor të kandidates së PS, Emiriana Sako.
“Është një ngarkese, detyrë e madhe të cilën nuk e mbaj dot vetëm, por të gjithë bashkë do t’ia dalim të fitojmë bashkinë dhe ta administrojmë atë të gjithë bashkë. Jam një nga ju, djalë durrësi dhe mjaft i thjeshtë. Ata që vijnë e kërkojnë votën, e kam fjalën për zonjën Sako, që është dikush që fshihet pas saj, Vangjush Dako, po përpiqet të manipulojë votën për herë të katërt. E kemi parë këtë film, besoj nuk prisni që të jetë ndryshe kësaj radhe, në fund ka abuzim dhe keqtrajtim. Të gjithë bashkë t’i bashkohemi vizionit që ne kemi”, tha Muka.
Ndër të tjera, Muka theksoi se, Bashkia e Durrësit nesër do ketë një fytyrë njerëzore ku zëri i qytetarëve do të dëgjohet.
“Bashkë do flasim dhe bashkë do t’i bëjmë gjëra, si ta bëjmë Durrësin më të mirë. Duke e bërë të gjithë bashkë, nuk do bëjmë gabime. Duke ju parë në sy, duke ju shtrënguar dorën, përditë po kuptoj që të gjithë ju keni diçka për të thënë. Po më thoni që keni nevojë për ndryshim. Keni nevojë që ata që abuzojnë me fondet tona, me votën tonë, jam i bindur që shumica s’keni votuar për ata që janë në bashki. Por, me marifetet e tyre ata kanë arritur që të manipulojnë një pjesë të votave”, tha Muka.
Sakaq, ai i bëri thirrje durrsakëve që ti thonë ‘jo’ atyre që do t’i trokasin në derë për t’ju dhënë votën kundrejt shpërblimeve monetare.
“Gjithë bashkë duhet të kuptojmë që ato mund t’ju blejnë votën atyre që i kanë përdhunuar për 4 vjet, për 15 vjet, për 22 vite. Prandaj duhet të ndërgjegjësohemi. Nuk është vota e pavlefshme, vota është një plumb i vogël që kemi në dorë. Po të bëhemi të gjithë bashkë, bëhet një bombë atomike të cilën ata që abuzojnë sot me ne, e kanë shuëm frikë”, tha Muka.
Ardian Muka tha se demokratët që shkojë pas Lulzim Bravës, po udhëtojnë në errësirë.
“Më 6 mars të punojmë me pjesën tonë të vogël që për momentin kanë humbur rrugën dhe po udhëtojnë në errësirë, ata që i shkojnë mbrapa deputetit Brava. Ata janë demokratë të thjeshtë, vëllezër që kemi bërë beteja, çadra e famshme, mitingjet ku jemi përleshur me gaz lotsjellës. T’ju shpjegojmë atyre se rruga e duhur është kjo e jona. Duan të përçajnë votën tonë, duke punuar të gjithë bashkë, ajo pjesë do i bashkohet demokratëve”, tha Muka.