Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë”, Bardh Spahia dhe ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilluan mitingun përmbyllës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Shkodër. Berisha ka kërkuar që në 6 mars shkodranët dhe demokratët e këtij rrethi të votojnë për kandidatin e Shtëpisë së Lirisë Bardh Spahinë, pasi është votë për shpresën, për optimizmin për besimin dhe vendosmërinë, për të ecur të sigurtë drejt fitores përfundimtare të PD-së.
Ish-Kryeministri garantoi shkodranët se Bardh Spahia do jetë një shërbëtor i bindur dhe i përkushtuar dhe se do të realizojë një sërë projektesh të cila shtrihen nga Thethi, Velipoja, qyteti dhe çdo skaj i këtij rrethi.
“Në 6 mars, vota e Shkodrës është votë për shpresën, për optimizmin për besimin dhe vendosmërinë, për të ecur të sigurtë drejt fitores përfundimtare të PD-së. Të dashur miq, sot në të njëjtën kohë dhe të njëjtën orë, pengmarrësi kishte marrë edhe pengun me vete, Lulzim bravën apo Lul kimikun siç e quani me të drejtë ju. Ishte e shëmtuar të shihje se si kishin ardhur në ndihmë të njëri tjetrit por mjeranë të sigurtë se Shkodra do u presë faturën, humbjen dhe dështimin e të dyve.
Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë demokratët, votoni Bardh Spahinë kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, ju garantoj se do jetë një shërbëtor i bindur dhe i përkushtuar i juaji dhe se me buxhetin tuaj, me mbështetje të fuqishme të miqve të Shkodrës në Europë dhe në botë, do të realizojë një sërë projektesh të cila shtrihen nga Thethi, Velipoja, qyteti dhe çdo skaj i këtij rrethi.
Rëndësi të jashtëzakonshme ka që në datën 6 mars të marim të gjithë pjesë në votim, të votojmë për pranverën e shpresës, për ti dhënë një shtytje të fuqishme revolucionit demokratik paqësor i cili do të kthejë në Shqipëri pluralizmin, demokracinë dhe integrimin e vendit në BE.
Dy ditë na ndajnë nga e diela, ti shndërrojmë ne këto dy ditë, në një përpjekje të madhe për takime me çdo mik familjar dhe të njohur ti bëjmë ftesën që të votojnë në bashkitë ku votohet në 6 mars dhe të mos mashtrohen nga hijet e Edvin Ramës dhe Lul Bravës, të cilët kalojnë nga një skut në një tjetër, përpiqen të blejnë dhe shkelmojnë vullnete qytetarësh të lirë. Të votojmë ne për shpresën, dinjitetin tonë, të ardhmen më të mirë të Shkodrës dhe Shqipërisë. Dhe njëherë iu uroj fitore, rroftë Shkodra rroftë Shqipëria”, u shpreh Berisha.