Dëmi Basha

Nga Andi Bushati

Dëmi që Lulzim Basha i ka shkaktuar opozitarizmit është shumëfish më i madh sesa vendi – pashmangshmërisht i tretë- që ai i “dhuroi” siglës së PD-së.

Rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale (Durrës, Dibër, Lushnje, Rogozhinë Shkodër dhe Vorë) treguan se populli opozitar është distancuar ndjeshëm nga politika e dyerve të blinduara; nga pafytyrësia e një kryetari dhe bandës së servilëve që e ndjekin pas në zinxhirin e pafundëm të disfatave; nga bashkimi i votave me regjimin në fuqi, si në rastin e fundit të vettingut dhe nga servilizmi antipopullor ndaj lojës së ambasadave.

Efekti i përçarjes së opozitës, që filloi në shtatorin e vitit të shkuar, shkon përtej asaj që konfirmuan në pamje të parë shifrat e 6 marsit. Ai bëri që Edi Rama të jetë, pa problemn, fitues në pesë nga gjashtë bashkitë madje edhe pa vënë në punë me kapacitet të plotë makinerinë e kolauduar të manipulimit të votës. Ndonëse raste si ai i audio përgjimit të kandidatit rilindas të bashkisë në Rogozhinës dëshmojnë se vesi del me shpirtin, në përgjithësi, PS-ja këtë radhë fitoi më shumë sesa në sajë të hileve, falë fragmentarizimit të kundërshtarit. Pra autokrati shqiptar tani po i korr edhe elektoralisht frytet e lobimit për të shpallur non grata Sali Berishën, akt të cilin e noterizoi Basha me përjashtimin e atit të tij politik nga partia. Kryeministri sot mund të mburret se kjo garë vërtetoi edhe pastërtinë e 25 prillit duke pretenduar se rilindja është numerikisht e padiskutueshme në këtë vend.

Rezultatet e kësaj të diele,  nuk flasin vetëm për një dënim plebishitar të forcës që mban siglën dhe vulën e opozitës zyrtare dhe që sillet si përfaqësuesja e saj kryesore në parlament. Ato tregojnë se politika e ndjekur nga Basha dhe sahanlëpirësit e vet e kanë minuar frontin e kontestimit ndaj regjimit. Të gjitë faktorët opozitarë, po ti mbledhim së bashku, bëhen shumë më pak në numër sesa në zgjedhjet e kaluara. Indiferenca, abstenimi, përçmimi që u vunë re në këtë garë të pjesshme janë pasojë e drejtpërdrejtë e humbjes së besimit, e brerjes së kauzave, rrefuzim me bindje i politikanëve lëtyrë, merita e vetme e të cilëve janë selfiet në krah të Yuri Kim. Kjo lloj neverie bëri që shumë nga votuesit tradicionalë të së djathtës të bojkotonin. Më mirë se sa të përfshiheshin në një sfidë të pashpresë ata preferuan që këtë ditë të ftohtë dhe me shi ta kalonin pranë shtëpive të veta.

Pra bilanci i sotëm nuk mund të bëhet vetëm me shifrat katastrofike ku Basha e rrokullisi siglën e PD-së, por edhe me atë masë të madhe votuesish që politika e tij, sa idiote po aq dhe disfatiste, arriti të dekurajokë dhe çmobilizojë.

Po atëherë, duke qenë se këto zgjedhje i ngjanin një laboratori gjigand ku u angazhuan afro ⅕ e gjithë votuesve të vendit, para opozitës reale shqiptare shtrohet një pyetje.

Ç’do të bëjë me një humbës serial si Lulzim Basha, i cili shërben vetëm për të bërë më të lehta fitoret e Ramës, duke mbajtur të fragmentarizuar kundërshtinë ndaj regjimit? Përgjigjja më e thjeshtë që do të jepte gjithkush, me dy pare mend në kokë, do të ishte dorëheqja apo largimi i tij.

Por, në kushtet aktuale ky duket një version i pamundur.

Me mënyrën se si përjashtoi Berishën dhe mbështetësit e tij nga partia, me pafytyrësinë që sajoi pesëmijë delegatët e kuvendit, me metodat që përdori për të blinduar selinë dhe helmuar me gaz të vetët, me manipulimet që prodhoi duke dashur të vëre “pikat mbi I”, përmes sondazhe që e nxirrnin fitues në katër bashki, ai dëshmoi se e ka mbyllur këtë shteg.

Ashtu si çdo dëm i madh edhe dëmi Basha është nga ata që e lënë të keqen të shkojë deri në fund.

Prandaj me të agonia e opozitës do të jetë e gjatë dhe torturuese. PD e vulës do të vijë duke u tkurur, dalë ngadalë, si lëkura e Shagrenit, as duke mos u zhdukur, falë idotëve të dobishëm që do vazhdojnë të vegjetojnë aty, as duke mos lejuar krijimin e një alternative të re ndaj pushtetit.

Fatkeqësisht, ky proces shuarje nuk do të jetë i shkurtër. Flakën e tij të zbehtë do e mbajnë ndezur një luzmë deputetësh, zyrtarësh partiakë dhe analistësh me pagesë, pa stof politik, po moral qytetar dhe pa dinjitet njerëzor. Të gjithë ata, duke rendur pas Bashës, do të shërbejnë vetëm për të vijuar pushtetin e Ramës dhe për të mbajtur të ndarë opzitën. Në këtë kuptim, testi i këtij 6 marsi nuk ishte fundi Bashës, por fillimi i lulëzimit të një fare përçarëse, që do e shohim të riprodhuar edhe në sfidat e ardhshme elektorale. Prandaj kësaj here mund të themi pa ironi: dëmi Basha “sapo ka filluar”.

/Marrë nga Lapsi.al/

About Redaksia

Check Also

Pse ishtë “gjë e mirë” ky lajmi i shpërndarë për Parashqevi Simakun?

Nga Adriana KALAJA Kur shoh këtë histerinë kolektive për Parashqevinë, me gjithë mirënjohjen pafund që …

Leave a Reply