Pas kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili refuzoi nismën “Ballkani i hapur”, edhe i dërguari gjerman në Tiranë, ambasadori Peter Zingraf mban të njëjtin qëndrim, duke mbështetur vetëm Procesin e Berlinit, në kuadër të tregut të përbashkët rajonal. Ndonëse Edi Rama tha se “Ballkani i Hapur është vijim i Procesit të Berlinit, pasi ky i fundit ka ngecur”, ambasadori Zingraf e hedh poshtë këtë deklaratë, duke theksuar se procesi ka pasur arritje konkrete.
Po ashtu edhe kërkesa e Edi Ramës, për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut, per çeljen e negociatave me BE, nuk gjen mbështetjen gjermane. Ambasadori Zingraf i kujtoi Ramës se në vitin 2020, Maqedonia u sakrifikua për Shqipërinë, dhe se tani është radha që ajo të bëjë të njëjtën gjë.
I pyetur për situatën brenda PD, Zingraf tha se selia blu duhet të ringrihet e të gjejë vetveten, për t’u kthyer në një force alternative për qytetarët, dhe të jetë një opozitë e fortë ndaj qeverise. Ambasadori theksoi se Gjermania kërkon që riorganizimi i PD të bëhet përmes proceseve transparente.
Zingraf theksoi se çdo vend, i cili kërkon të ketë një sistem demokratik funksional, do duhet të ketë një opozitë të fortë, e cila do duhet të shërbente për kontrollin e qeverisë sepse zgjedhësit duhet të kenë alternativën e duhur.