Presidenti i Republikës Ilir Meta ka deklaruar sot se nuk do të përfshihet në procesin e zgjedhjes së kandidatëve për pasardhësin e tij në Presidencë , duke e konsideruar me ironi procesin e nisur nga PS-ja si “argëtim publik” dhe nga ana tjetër garantoi se vetëm një ditë pas përfundimit të mandatit, më 25 korrik, do të nisë angazhimin e tij të ri në politikë.
SYRI TV: Z. President, ju jeni zgjedhur me votat e PS-së dhe tani Kryeministri Rama ka nisur proces për zgjedhjen e Presidentit të ri. A mendoni q ky proces i përzgjedhjes së Presidentit do të jetë i njëanshëm dhe ju a keni vetë një emër që do ta propozoni? Kur do të nisë turi jua dhe ai që keni quajtur Komiteti i Inceneratorëve?
Meta: Lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri, kjo temë nuk përbën asnjë interes konkret për mua për arsyen se është shumë e qartë se mazhoranca aktuale thjesht dhe jo vetëm për shkak të zgjedhjeve të 25 Prillit, i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur një President të sajin dhe nuk shoh asnjë arsye për t’u bërë pjesë e asnjë argëtimi publik lidhur me çështjen e Presidentit. Kështu që mandati im është deri më 24 korrik dhe natyrisht, më 25 korrik fillon një angazhim i ri dhe fillojnë përgjegjësi të reja.