“Hapni rrugën! Hapni rrugën! Duam të shkojmë në shkollë”! Si rrallëherë po marrin pjesë aktivisht në një protestë, fëmijët e vegjël të fshatit Rinas pranë Tiranës, të cilët nuk kanë shkuar sot në shkollë, sepse ARRSH u ka bllokuar njerin kah të rrugës lidhëse me aeroportin e Tiranës, me argumentin për të pakësuar trafikun dhe rritur sigurinë.
Në të tretën ditë të protestës, banorët e Rinasit janë shumëfishuar për të treguar vendosmërinë e tyre kundër padrejtësisë që u është bërë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe nga Ministria e Infrastrukturës.
Vetë kryeplaku i fshatit ka shprehur zhgënjimin e madh që asnjë instancë shtetërore nuk e ka dëgjuar thirrjen e protestës dhe vazhdon të shikojë në heshtje, revoltën.
Nuk shkojmë dot në shkollë, se mësuesit nuk vijnë dot në shkollë. U duhet të vijnë rreth e rreth nga Fushë Kruja për të ardhur në Rinas, tha një nxënëse.
Forca të shumta policie janë përpjekur të ndalojnë banorët paqesorë protestues që iu afruan sot rrethrrotullimit të Aeroportit të Rinasit.
Indinjata e banorëve është se vendimi nga ARRSH-ja për bllokimine njerit aks të rrugës që iu bllokon atyre qarkullimin për në shkollë, ambulancë, në toka dhe në biznet rrotull dhe i detyron të bëjnë 25 km me makinë për t’u kthyer në shtëpi, është marrë pa asnjë konsultim me ta.
Fëmijë, nëna, baballarë, gjyshër kanë shprehur vendosmërinë sot se nuk do ta ndalin protestën derisa të zhbllokohet rruga e fshatit të tyre.