Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD ka publikuar sot ndryshimet e bëra në rregulloren për garat që zhvillohen në PD. Eno Bozdo prezantoi për mediat ndryshimet në rregullore që garantojnë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhore në çdo instancë të PD-së.
“Ndryshimi i parë është te pjesa e administrimit të procesit zgjedhor. Rregullorja parashikon që të ketë një vëzhgues të përhershëm, që ka akses në veprimtarinë e komisionit. Pra, pranë komisionit tonë, secili nga kandidatët do ketë mundësi që të caktojë një vëzhgues që është i barabartë me ne për të drejtat që zotëron.
Ndryshimi tjetër që është thelbësor është aksesi i kandidatëve në listat zgjedhore. Rregullorja tashmë përcakton që komisioni ynë ka përgjegjësi t’i japë akses të menjëhershëm çdo kandidati në listën zgjedhore.
Ndryshimi i fundit është aksesi i kandidatëve në zyrën e shtypit të PD. Ky akses nuk ka qenë i barabartë në fushatat e mëparshme. Rregullorja detyron akses të barabartë të çdo kandidati në këtë zyrë”, tha Bozdo.
RREGULLORE E BRENDSHME MBI MODALITETET E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
-Procesi zgjedhor për Kryetar të PDSH garanton parimin e konkurrimit të lirë dhe shanseve të barabarta midis kandidatëve si dhe kontrollin e tyre mbi mënyrën e realizimit të tij.
-Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë, sipas modaliteteve të parashikuara në këtë udhëzim. Anëtarët e partisë me të drejtë vote e ushtrojnë lirisht të drejtën e votes.
-Kandidatët ftohen të paraqesin programin e tyre përpara strukturës së partisë dhe anëtarëve të partisë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, i mundësojnë çdo kandidati akses të barabartë në garë. Drejtuesit e strukturave të Partisë, në qendër dhe në bazë, qëndrojnë asnjanës në procesin zgjedhor.
-Çdo kandidat ka të drejtën të caktojë pranë KOKOE, brenda datës 10 maj 2022, një vëzhgues të tij të përhershëm. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e Komisionit. Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të Komisionit dhe merr fjalën sa herë e kërkon për të parashtruar kërkesa, propozime apo ankesa.
-Në Komisionet e Votimit dhe të Numërimit në degë, çdo kandidat ka të drejtën të caktojë një përfaqësues në Komision.
-KOKOE ka përgjegjësinë të japë akses të plote dhe të menjëhershëm çdo kandidati në listën zgjedhore. Ky akses fitohet menjëherë pas regjistrimit të çdo kandidati nga KOKOE.
-Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike merr masat për pasqyrimin e barabartë të fushatës zgjedhore të secilit kandidat duke shpërndarë zyrtarisht çdo njoftim të kandidatit apo çdo përmbledhje të takimeve të tij.
-Secili kandidat ka të drejtë të përdorë mjediset e selisë qendrore të Partisë Demokratike apo selitë e Degëve të partisë në rrethe për aktivitete të tij gjatë fushatës zgjedhore apo për komunikimin me mediat. Kryesitë e degëve marrin masa për plotësimin e kësaj pike.