Ish-Kryeministri dhe lideri historik i PD, Sali Berisha foli përpara demokratëve në Fier edhe për ndërhyrjet e Yuri Kim në sistemin gjyqësor. Ambasadorja, tha Berisha, shkeli Kushtetutën e SHBA dhe atë të Shqipërisë, bashkë me Konventën e Vjenës.
Berisha tha gjithashtu se i ka kërkuar publikisht qeverisë amerikane dhe presidentit Biden të mos lejojnë ndërhyrjet e përfaqësuesve në tyre në proceset gjyqësore.
“Edi Rama, pasi u faktua se ku është shumica e Partisë Demokratike, bën gjithçka me një vendim antikushtetues, antiligjor të mbajë pezull çështjen. Për fatin më të keq, këtu ndërhyri, dhe unë publikisht e njoftova edhe Guvernatorja, apo ambasadorja e SHBA, duke shkelur kushtetutën e SHBA, të Shqipërisë, duke shkelur Konventën e Vjenës, nuk mund të ndërhysh kurrë në proces gjyqësor, është vend i lirë, vend i NATO-s, vend anëtar i KiE, vend që po shkon 110 vjet vend i pavarur, kjo është gjëja më e rëndë që mund të bësh.
Ndaj dhe unë i kam kërkuar publikisht qeverisë së SHBA dhe qeverisë së Presidentit Biden të mos lejojë përfaqësuesit e saj të ndërhyjë në procese gjyqësore. Ai është shkatërrimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe kjo tregon se reforma në gjyqësor ishte për ta vënën nën kontrollin e Edi Ramës, por edhe të ndonjë tjetri si puna e Guvernatores. Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë kurrë qëllime të tilla. Dhe këta përfitojnë nga kjo situatë. E turpshme. Harrojnë se në këtë mënyrë tregojnë gjithnjë e më shumë veten si kolaboracionistë të një armiku të pluralizimit politik, se Edi Rama këtë fakton me lojërat që bën.
Ishte diktator, e kishte filluar karrierën politike në Byro duke firmosur ekzekutime njerëzish pa gjyq, Ramiz Alia, por kur u themelua pluralizmi këto lojëra nuk i bëri. Kishte të gjitha instrumentet, institucionet, nuk e bëri, këto i bëri Edi Rama duke shfrytëzuar elementë si Lulzim Basha, Enkelejdi apo Kapllani këtu. Por ne asgjë s’mund të na ndalë. Një gjë u faktua në këto muaj që kjo lëvizje është e pandalshme. Ata që u përpoqën ta ndalojnë dështuan dhe nga ky stacion do të bëhet uragan i vërtetë. Tani ka një mision tjetër më të madh, misionin e shpëtimit të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.