Ish-Kryeministri Sali Berisha më 22 maj garon për kryetar të PD ndërsa pasditen e sotme ka takuar demokratët e Kukësit teksa shpalosi platformën e tij për të marrë drejtimin e selisë blu.
Berisha tha se qeveria e Ramës kur erdhi në pushtet ka mbajur qëndrim armiqësor ndaj qarkut të Kukësit. Sipas Berishës Rama ju ka hequr 20 mijë familjeve të Qarkut të Kukësit ndihmën sociale vetëm se nuk e kanë votuar në zgjedhje.
“Kukësit Rama i hoqi 20 mijë familje nga ndihma sociale. Ai nuk është se s’kishte ardh në Kukës, kishte bërë një udhëtim dhe në Kala të Dodës. Ai që shkon atje sheh fshatrat e grykës së Drinit, sheh tokat.
Të gjitha këto, për një qeveritar të përgjegjshëm, nuk mund të imagjinohet t’ju heqësh nidhmën sociale. Hoqi 20 mijë familje nga ky qark vetëm se nuk votuan për të.
Kur ata Rrugën e Kombit e quajnë rrugën e askundit dhe deklaronin se Kukësi sapo erdhën në pushtet, boll ka marrë, a thua se rruga ishte vetëm për ju.
Rruga, e vërteta është se është e vetmja vepër e cila, të paktën, minimumi dy herë, e ka paguar veten, falë Kosovës e cila sjell çdo vit në Shqipëri 350-400 milionë euro.
Kjo është e vërteta e rrugës. Ata e nisën këtë qëndrim të turpshëm ndaj Kukësit se ‘boll ka marrë’, me idenë përçarëse, se Kukësi paska gjobitur me rrugën mbarëshqiptarët pasi u ndërtua me taksat e tyre.
E vërteta krej e kundërta. Kukësi me kaskadën, jo vetëm Kukësi por edhe Puka, i kanë dhënë dhe i japin vendit miliarda euro dhe nuk marrin gjë. Kukësi, Hasi, Tropoja, me minierat, i kanë dhënë Shqipërisë miliarda”, deklari Berisha.