Erdogan kundër Suedisë dhe Finlandës në NATO: As mos e marrin mundimin…

Nga Enton DOÇI (Lyon)

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet ta marrin mundimin të shkojnë në Ankara për ta bindur atë që të miratojë kërkesën e tyre për anëtarësim në NATO.

Qeveria e Suedisë ka vendosur zyrtarisht të kërkojë anëtarësim në NATO, tha të hënën kryeministrja Magdalena Andersson, një ditë pasi presidenti finlandez Sauli Niinisto konfirmoi se edhe Helsinki do të bëjë të njëjtën gjë.

Turqia i befasoi aleatët e saj të NATO-s javën e kaluar kur tha se nuk do t’i shihte kërkesat e tyre për anëtarësim në dritë pozitive, duke përmendur si argument kryesor faktin që ata u japin strehim anëtarëve të grupeve që Ankaraja i konsideron si terroristë.

Në një konferencë shtypi, zoti Erdogan tha se Turqia nuk do të miratojë aplikimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, duke e quajtur Suedinë një “inkubator” për organizatat terroriste dhe duke shtuar se ata kanë terroristë në parlamentin e tyre.

“Asnjë nga këto vende nuk ka një qëndrim të qartë dhe të hapur ndaj organizatave terroriste,” tha zoti Erdogan. “Si mund t’u besojmë atyre?”

Ministria e jashtme suedeze tha më herët të hënën se përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të udhëtojnë në Turqi për bisedime për të diskutuar mbi kundërshtimet e Ankarasë.

“Ata do të vijnë në Turqi të hënën. A po vijnë të na bindin? Më falni, por ata as nuk duhet ta marrin mundimin,” tha Presidenti Erdogan për vizitën e planifikuar.

Ai tha se NATO do të bëhet “një vend ku janë të përqendruar përfaqësues të organizatave terroriste ” nëse të dy vendet anëtarësohen.

Ankaraja thotë se Suedia dhe Finlanda strehojnë njerëz që ajo thotë se janë të lidhur me grupet që i konsideron terroriste, përkatësisht grupin militant të Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) dhe mbështetësit e Fethullah Gulenit, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016.

Televizioni shtetëror turk TRT Haber tha të hënën se Suedia dhe Finlanda nuk kishin dhënë miratimin për riatdhesimin e 33 personave që i ka kërkuar Turqia.

Zoti Erdogan tha gjithashtu se Turqia do të kundërshtonte kërkesat për anëtarësim në NATO të vendeve që kanë vendosur sanksione ndaj saj. Suedia dhe Finlanda kishin vendosur embargo për eksportin e armëve ndaj Turqisë pas inkursionit të saj në Siri në vitin 2019.

NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ishin të bindur se Turqia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Diplomatët thanë se zoti Erdogan do të ndjehet nën presion për t’u dorëzuar pasi një anëtarësim i Finlandës dhe Suedisë do të forconte konsiderueshëm NATO-n në Detin Baltik.

Zëdhënësi i zotit Erdogan tha të shtunën se Turqia nuk i ka mbyllur derën për anëtarësim Suedisë dhe Finlandës në NATO, por do negociata si edhe që ato të luftojnë aktivitete që Ankaraja i konsideron terroriste.

About Redaksia2

Check Also

Vala “Trump”, liberali Trudeau drejt shkarkimit nga Parlamenti

Kreu i partisë kanadeze në pushtet tha të premten se do të votonte në favor …

Leave a Reply