Mazhoranca dhe opozita janë mbledhur sot në Kryesinë e Kuvendit për të negociuar mbi mënyrën sesi do të vijojë procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në tryezën e negociatave, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se që opozita të propozojë emra për presidentin duhet të ketë mbështetjen e 20 firmave deputetë.
Po ashtu, Balla solli edhe një herë në vëmendje që asnjë kandidat që mund të vijë nga “Rithemelimi” nuk do të pranohet.
“Jam dakord që të keni të drejtë të propozimit, por jo monopolin e propozimit. Të drejtën e propozimit e kanë të gjitha palët. Të hënën në 18.00 raundi i dytë. Duhen 20 firma të deputetësh për ta propozuar. I keni? E tillë procedura kushtetuese. Mund të sillni tre kandidatë, por kini parasysh që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk pranojmë. Silleni, po e keni dakordësinë, kjo është gjë e mirë. Mendoj që kështu edhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. PS nuk ka një proces që nuk e përgatit në kohë. Kemi dy muaj që përgatitemi për këtë proces. Nuk kemi përjashtuar tërësisht politikën, por nga Grupi i socialistëve nuk mund të jetë. Me kriteret jemi dakord. Ju keni të drejtën tuaj të propozoni, por nuk është ekskluzive. Deri në raundin e tretë, mund të biem dakord, që ju ta propozoni dhe ne të shohim. Nëse nuk biem dakord, pastaj me respektin e procesit në raundin e katërt ne do propozojmë dhe ju duhet të vini dhe të shpreheni me votë”, tha Balla.