Punonjësit e inceneratorit: 5 muaj pa marrë rrogat, sollën Policinë për të mbyllur grevën

30 punonjës të inceneratorit të Fierit janë ngritur sërish në protestë këtë të enjte pasi prej muajit janar nuk kanë marrë pagat. Punonjësit e inceneratorit kanë bllokuar hyrjen për të mos lejuar mjetet të depozitojnë mbetjet urbane, ndërsa deklarojnë se nuk do të ndalin protestat deri sa të marrin 4 pagat e prapambetura.

Punonjësit akuzojnë administratorin e inceneratorit se po i mban peng me mashtrime, pasi disa herë u është premtuar se do të paguhen, por sërish vazhdojnë pa marrë asnjë qindarkë.

Punonjësit e inceneratorit të Fierit kanë filluar protestat e tyre që në muajin prill duke bllokuar thuajse çdo javë hyrjen në incenerator por pavarësisht protestave deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Ndërkohë bashkia e Fierit dhe bashkitë e tjera që depozitojnë mbetjet në këtë landfill vazhdojnë pagesat me miliona lekë çdo muaj.

Në thelb të të gjitha deklarimeve nga punëtorët është fjala mashtrim. Rregullisht ata janë mashtruar nga shefat e tyre, përfshirë këtu edhe ditën e parë të grevës, kur Policia u erdhi dhe i detyroi me forcë të hapnin dyert e objektit për të lejuar shkarkimin e makinave me mbeturina nga 4 bashki.

Edhe shefat e Policisë iu thanë se ata do të paguheshin së shpejti. Por tani situata është rënduar, sepse administratori i shtetit nuk iu hap më as celularin. Këta punëtorë janë kryesisht banorë të fshatrave të zonës me gjendje ekonomike të dobët.

“Po shkon muaji i pestë tani dhe akoma nuk jemi paguar, – tha njeri prej tyre. –  Vijnë e na premtojmë do t’ua japim këtë javë e këtë javë dhe asgjë nuk është bërë deri tani. Se çfarë do të bëhet nuk e dimë. Të paktën të na thonë se jemi deri këtu, nuk ka lekë dhe ikni e shikoni hallet tuaja. Këtë nuk e thonë, vetëm sa na mbajnë me premtime.  Para disa ditësh, kur i bllokuam automjetet, na sollën Policinë dhe ne i lejuam. Na premtuan se për 24 orë i keni lekët. Prapë nuk e mbajtën fjalën. Kjo punë…nuk e dimë se çfarë rruge do të marrë”.

“Ne jemi pa bukë, – vërejti një punëtor tjetër. – Pesë muaj këtu pa u paguar dhe kemi familje. Fëmijë, pleqtë i kam, unë pa punë. Pesë muaj pa marrë asnjë lek. Çfarë do të hamë?! Kur vjen Policia me forcë, çfarë do të bëjmë ne?! Kur thotë Policia brenda 24 orëve do t’i merrni lekët, çfarë të bëjmë ne?!”

“I njejti shqetësim që tha shoku është edhe për mua, – shtoi i treti. –  Kemi pesë muaj pa marrë kokërr leku. Na premtohet këtë të premte, këtë të enjte, këtë të martë…Ultimatumi i fundit na është dhënë dje. Dje, nuk e hapte fare administratori telefonin. Kemi folur, kemi bërë takim, na ka mashtruar. Se si do të vejë halli ynë, nuk e di…” e mbylli ai me një ndjesi lodhjeje dhe mosbesimi të madh.

About Redaksia

Check Also

Media gjermane: 100 mijë protestues në Beograd kërkojnë qeveri teknike

Në qendër të Beogradit u mblodhën të dielën (22 dhjetor) mbi 100.000 njerëz, njoftoi Arkivi …

Leave a Reply