Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Arben Ristani komentoi në edicionin e pasdites me Juli Krisafin në Syri Tv zgjedhjen e Sali Berishës në krye të selisë blu. Ristani deklaroi se Partia Demokratike po përmbyll fazën e rithemelimit të saj dhe kjo fazë po çon drejt zgjidhjes së krizës që përfshiu PD-në.
“PD-ja nuk është e ndarë. Vihet re një ndarje në grupin parlamentar të PD, por ndarje e cila reflektohet shumë pak ose aspak në bazën e PD. Partia Demokratikë është e rithemeluar me një proces që duhet të reflektojë në shoqërinë shqiptare se ishte një proces i hapur, demokratik dhe në themel u vendos vota e lirë”, tha Ristani.
Më tej ai u shpreh se, Komisioni i Rithemelimit do të vazhdojë të ekzistojë deri në zgjedhjen e Kryesisë së PD.
“Statuti i PD parashikon që është kreu i partisë ai që propozon përbërjen e Kryesisë së PD, dhe këtë propozim ja bën Këshillit Kombëtar. Prandaj u zgjat koha e punës e Komisionit të Rithemelimit deri në zgjedhjen e Kryesisë së re”, bëri me dije Ristani.
Sa i përket përqindjes së votuesve për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjen e Bashës një vit më parë, Ristani deklaroi se kishte një pjesëmarrje pothuajse në vijë lineare nga referendumi që u zhvillua për largimin e Bashës.
“Për zgjedhjen e Berishës, diku tek 43 mijë pjesëmarrës. Pjesëmarrje e mirë, shumë e madhe, pjesëmarrje e konfirmuar nga zgjedhjet në zgjedhje, si të thuash pjesa aktive e partisë, e anëtarëve të partisë”, tha Ristani.