Kryetari i PD, Sali Berisha, e ka konsideruar si antidemokratike dhe antishqiptare, idenë e Enkelejd Alibeaj për përfshirjen e diasporës shqiptare në një zonë të posaçme zgjedhore, duke e konsideruar Alibeajn si një vegël të kryeministrit Rama. Berisha paralajmëroi se, kjo fyerje për shqiptarët nëpër botë do të hasë në një rezistencë mbarëkombëtare.
I pyetur sot nga gazetarët për këtë tezë të Alibeajt dhe grupimit të tij, Berisha tha se, përveç autoritetit që i jep Edi Rama, Alibeaj nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga PD.
“Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe, pikëpamjen e Ramës të konsiderimit të emigracionit dhe diasporës si një zonë e veçantë elektorale. E paralajmëroj këtu, mos të luajë me liritë dhe të drejtën e miliona shqiptarëve që janë sot në të katër anët e botës. Ata do të ushtrojnë të drejtën e votës së tyre për kandidatët e qyteteve apo zonave të tyre të origjinës. Sot, teknologjia online e bën këtë 100% të mundshme.
Çdo përpjekje që shprehu nëpërmjet veglës së tij, Alibeaj për një zonë të veçantë për emigracionin është një përpjekje e mirëfilltë antidemokratike, antishqiptare, është një fyerje e madhe që i bëhet emigrantëve dhe diasporës në të katër anët e dheut. Do të hasë kjo në një rezistencë mbarë kombëtare”, tha Berisha.