Berisha: Alibeaj, një sharlatan që keqpërdoret nga Rama

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Alibeaj është një sharlatan që keqpërdoret nga Rama, ka harruar që ka pasur funksione në qeveri.

“Një sharlatan që ka mungesë totale respekti për veten e tij, keqpërdoret nga Edi Rama, harron që ka pasur funksione të rëndësishme edhe në qeveri dhe kur bën akte të tilla vetëm sa shkelmon veten e tij”, tha ai.

FJALA E KRYETARIT TE PARTISE DEMOKRATIKE SALI BERISHA NE KONFERENCEN ME GAZETARET

Jam para jush në këtë bisedë për të denoncuar me ashpërsinë më të madhe vendimin e fundit të Edi Ramës, me të cilin ai dëshmon çdo ditë e më shumë se Gjykatën e Lartë, apo Sado-Gjykatën, tani e tutje do quhet Gjykata-Sadushi, e ka kapur përmes Sadushit të tij, për sa koordinohet me planin e qartë të masave me mënyrën e dhënies së drejtësisë së shqiptarëve.

Edi Rama dhe Sadushi i tij kanë zgjedhur drejtësinë sui generis për qytetarët shqiptarë dhe kjo është një histori e rëndë turpi.

Edi Rama përvetëson pronat e shqiptarëve përmes vendimeve të gjykatave dhe ushtarëve të tij në administratë. Mungesa e transparencës, shkelja e ligjit janë parimet bazë të punës së qeverisë së tij që padyshim do të filtrojë rekurset sipas porosive që Agaçi do të shpërndajë dhe sipas urdhrave të Ramës. Tashmë me vendimin e tij vendos publikisht dhe haptas kontrollin mbi sistemin gjyqësor.

Në mungesë përsëri të plotë transparence dhe pa asnjë analizë të detajuar të rasteve, po dhe dëmit të madh kolosal që mund t’i shkaktohet shtetit dhe taksaguesve shqiptarë, në shkelje të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave vendos që për të gjitha institucionet në varësi të hiqet dorë nga rekurset në Gjykatën e Lartë për çështje me natyrë administrative dhe civile. Imagjinoni mafia e tmerrshme e tokave, e drogës dhe e pronave amnistohet, nuk shkon më në Gjykatën e Lartë. Mjafton të çojë qesen në apel, se sipër ia ka zgjidhur Rama, në Gjykatën e Lartë.

Ky vendim, sipas Ramës, është bërë me qëllim lehtësimin e stokut të çështjeve në Gjykatën e Lartë dhe përllogaritet që numri i rekurseve nga të cilat do të tërhiqet institucionet shtetërore të jetë 3800, por vlera e kësaj tërheqje është miliarda euro dëm për pasurinë publike dhe qytetarët shqiptarë.

Në emër të Reformës në Drejtësi, qeveria po koordinohet me Sado-Gjykatën e Lartë për të krijuar favore për individë, apo persona juridikë të caktuar. Ju garantoj se prapa këtij vendimi qëndrojnë lobet, klanet mafioze të tokave, territoreve, të kontrabandës e me radhë.

Vlerësimi për 3800 dosje do të bëhet nga ushtarët e partisë. E sigurt, dora e zezë e Delinës me EAST institute që të gjithë militantë të PS të klubit juridik Qemal Stafa, do të përzgjedhë përsosmërisht kundrejt barrëve të rënda, ryshfeteve etj, se kush do të falet e kush jo. S’ka nevojë për gjykatës, tani dalin Delinistët.

Prej 7 vitesh, Gjykata e Lartë, edhe sot funksionon nga 2-3 që kishte, ka gjithsej 13 gjykatës. Pavarësisht stokut të tmerrshëm të dosjeve, mazhoranca nuk plotëson vendet. Pse e lë gjykatën në gjysmë? Sepse i do të gjithë të klonuar. Do gjykatës të klonuar alla-Sadush, alla-Dvoran, Dvorani është ende lojtar rezervë. Në vend që gjykata të ishte plotësuar me kohë me 19 gjykatës, lihet me 13 gjykatës, përzgjidhen me falsifikime, do ju njohim në takime të tjera, individë nga Rama dhe Agaçi për t’u vendosur në Gjykatë. Pr zgjidhja është gjetur, o burra të hapim tenderin e fundit të turpshëm që të vjelim miliona euro në çështje civile duke iu faturuar tërësisht këtë në kurriz qytetarëve shqiptarë, taksapaguesve shqiptarë.

Shqipëria pushon së funksionuar si një shtet me drejtësi në tre shkallë. Përkundrazi shkallë supreme e drejtësisë tani e tutje është Edi Rama dhe Don Agaçio. Ata janë bërë tani gjykatësit supremë në këtë vendim turpi dhe anti-Kushteteues.

Ju duhet ta dini se Gjykata në kundërshtim me Kushtetutën ka hapur praktikën e revokimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë për kalim në seancë gjyqësore. Tani i kalon për gjykim në dhomë këshillimi, pa i njoftuar palët. Çfarë do të thotë kjo? Që një ditë prej ditësh ti e gjen veten pa shtëpi, pa pronë, pa ortakëri në bizne, sepse nuk ftohesh më në gjyq. Nuk besoj se në kohërat më të errëta të diktaturës të ketë ekzistuar kjo formë kaq absurde, kaq perverse, kaq antiligjore dhe antikushtetuese. Pra do prisni ju kur vendimet, nëse botohen në Fletoren Zyrtare, t’i merrni vesh, kush është palë në gjykim. Nuk mund të ketë degradim të tillë të drejtësisë në këtë shkallë siç ndodh me këtë vendim. Përmes kësaj praktike Sado-Gjykata, apo Gjykata e Lartë po cenon rëndë procesin e rregullt ligjor, duke shkelur rëndë parimin e sigurisë juridike, parim themelor i shtetit ligjor, nuk ka shtet ligjor pa sigurinë juridike. Të gjitha vendimet pas sigurinë juridike janë vendime në letër. Ky plan i qartë është përgatitur nga Sadushi në bashkëpunim me Agaçion, për të shkelur me këmbë të drejtat e mijëra qytetarëve që zvarriten prej 20 vitesh për çështje të cilave u ka ardhur koha të dëgjohen.

Së fundi, plani i qartë i masave, i koordinuar mes Sadushit dhe Edi Ramës e Don Agaçios, është groposja e rekurseve të institucioneve shtetërore, kompanive ku ka më shumë se 50% aksione shteti, apo avokaturës së shtetit që mbron interesat pasurore të shtetit me justifikimin e Reformës në Drejtësi.

Të dashur qytetarë dhe qytetare,

një vendim të tillë për të falur, për të abuzuar në këtë shkallë ekstreme, mund të merret vetëm me ligje amnistie nga Parlamenti shqiptar dhe kurrë nga një vendim ekzekutiv fund e krye korruptiv me qëllimin më të zi për të vjedhur sa më shumë.

Sipas vendimit, do hiqet dorë: 1) Çështjet me natyrë administrative. Këto mund të jenë edhe kontrata koncesionare. Tani koncesionarët do vazhdojnë të paguajnë një shumë në apel për të marrë një vendim, të sigurt se shumën e madhe detyrohen t’ia paguajnë Don Agaçios dhe Edi Ramës. Për kontratat e punës unë mund të them kaq, që duhet të ndëshkohen ata të cilët i sollën shtetit dëmin. Nëse ti si titullar ke ndërprerë kontrata në mënyrë të paligjshme, miliona euro dëme taksapaguesve, duhet të ndëshkohesh ligjërisht për aktet tuaja antiligjore. Por këtu, përsëri ikën.

Së fundmi, vendimi fut edhe paditë pa u ndjekur, apo paditë që nuk garantojë sukses në Gjykatën e Lartë. Kjo është e fortë, se do fitohet apo jo, këtë e gjykon Don Agaçio me Edi Ramën, të mos i çojmë atje se nuk do t’i fitojmë, kryegjykatësit në Kryeministri. Pra, për shkak të vendimeve unifikuese që gjykatat kanë mbajtur më herët, ky kërkon përgjegjësi penale për personat që kanë marrë vendimin i cili është objekt i çështjes gjyqësore. Bëhet këtu një lloj amnistie përsëri për shkelësit e rëndë të ligjit.

Qeveria e Edi Ramës ka hapur tenderin e madh të korrupsionit për tërheqjen nga rekurset për çështje të ndryshme të klientëve të saj, e cila shkon miliarda euro në kurriz të pasurive publike dhe taksapaguesve shqiptarë. Është një akt i pashembullt, është një hap tjetër madhor në drejtim të thellimit në progresion gjeometrik të vjedhjes dhe korrupsionit në këtë vend.

Ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës të denoncojnë publikisht çdo rast abuziv me këtë vendim. Ky është akt i paimagjinueshëm.

Por asgjë s’ka të paimagjinueshme në këtë vend, në këtë shtet, fytyra e vërtetë e të cilit është, zonja dhe zotërinj, Nexhmedin Dumani. Fytyra e vërtetë e kësaj qeverie është ajo e Nexhmedin Dumanit. Një serial killer që po zbërthehet, po flet, unë e vlerësoj vendimin e tij për t’u rrëfyer, por i bëj thirrje të rrëfejë çdo gjë, se deri tani nuk ka thënë asgjë tjetër, vetëm atë që kemi ditur që të gjithë. Nuk ka patur asnjë dyshim se banda e Elbasanit dhe bandat e tjera kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë, se ato kanë patur në xhep tërësisht prokurorinë e Elbasanit, por dhe prokurorë të tjerë në Tiranë, ministra mbi ministra. I bëj thirrje Dumanit, në emër të asaj që rifiton në vetvete një njeri që rrëfehet, se çfarë është një i penduar i drejtësisë, një njeri që vendos të rrëfejë në kuptimin moral krimet që ai ka kryer për të shpëtuar shpirtin e tij dhe kjo është e pranueshme, por i bëj thirrje ta bëjë të plotë, ta lërë me guxim sepse ka një tendencë absolute censure të rrëfimeve të tij tronditëse. Të rrëfimeve të tij që dëshmojnë qartë atë që është thënë çdo ditë nga media, shoqëria, Shqipëria. Është denoncuar me kohë, ata vrisnin, plaçkitnin, përdhunonin, bënin çdo gjë sepse mbyllnin çdo çështje me urdhër nga sipër.

Bëj thirrje që të dalin tabulatet e bisedave të Taulant Ballës me Suel Çelën. Taulant Çela është minimumi, se ato shkojnë direkt te Edi Rama.
E dini ju ku shkoi prokurori, që mashtroi shqiptarët në mënyrën më të shëmtuar, që tha s’kishte materiale zgjedhore aty ku u vra një njeri dhe u plagosën 4 të tjerë? Ku është ai? Në SPAK, në SKAP-in e partisë. A nuk do të thotë kjo që SPAK shndërrohet në strofull kriminelësh? Për llogari të kujt gënjeu Alfred Shehu? Në një kohë që më pas u detyruan ta pranojnë. Ky është vetëm një episod. Ju them tjetrën. Bandat paguanin dhe këta mbyllnin vrasje. Njerëz që vriteshin te pragu i shtëpisë së tyre. Dhe një prej tyre është Alfred Shehu.

Ndaj dhe Dumani është fytyra e vërtetë e këtij shteti, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. I bëj thirrje edhe Besjan Xhixhës të rrëfehet plotësisht për lidhjet politike të deputetëve, ministrave dhe mbi ministrat. Dhe ve dyshimin më të madh në hetimin dhe trajtimin politik që SPAK po i bën çështjes, po bën mburojë e denoncimeve politike, në një kohë kur ato dihen, s’ka nevojë t’i thotë as Besjani as Nexhmedini, SPAK po i fsheh këto. E shihni ju që Dumani është një lloj Belivuk-u, por i penduar. A e kuptoni ju që lidhet e Ramës me Vuçiçin janë lidhje krimin, janë të dy vëllezër siamzë në krim. Belivuk ishte një bandit buzë Savës që vriste njerëzit dhe i çonte trupat një mulli ku i bluante. E keni dëgjuar ju gjatë këtyre ditëve Don-Lalën t’i dalë ndokund emri? Çfarë është Don Lala? Është Edi Rama i Elbasanit. Fiks! Ka thënë SPAK ndonjë fjalë deri më sot? Mund të bëhej gjë pa Don-Lalën në Elbasan? Prandaj them Dumani është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie. Unë prapë i bëj thirrje Nexhmedin Dumanit të rrëfehet për gjithçka di, në emër të moralit që ai që rrëfehet rifiton. Dhe kjo është një shërbim që ai i bën shoqërisë shqiptare kundrejt veprimtarisë së tij të tmerrshme që ka ushtruar, jetët që ka marrë. S’kisha dëgjuar ndonjëherë që edhe bandat kundërshtare merrnin të njëjtin vrasës. Por kjo është qeveria e Edi Ramës.

About Redaksia

Check Also

Bumerangu “tiktok” do t’i kthehet Ramës me votë në zgjedhjet e 11 majit

Franc NURI Lajmi se aplikacioni « Tiktok » do të mbyllet për 1 vit nga …

Leave a Reply