Nga Artan FUGA
Ne jemi një shoqëri që funksionon sipas ritmeve minimale, askush nuk kërkon rritjen e rendimentin, të cilësisë, të performancës!
E vetmja gjë që kërkohet të jetë maksimale është fitimi, e ardhura, e bizneseve të mëdha. Aty ta masin kokën me pé. Por, edhe ata kot e kanë sepse në fakt realizojnë maksimalen e minimales!
Për shembull në disa degë të ekonomisë sikurse janë ndërtimet në Tiranë, kërkohet të shfrytëzohet në maksimum sipërfaqja e terrenit të ndërtuar. Ngjiten lart ndërtesat si katastraveca me hormone! Edhe karburantet, ose ndonjë fushë tjetër!
Gjithsesi edhe bizneset do ta pësojnë sepse me klient të varfër, vështirë të kesh rendiment në investime, veç nëse siguron monopolin nga administrata!
Ata që bëjnë korrupsion, po, ata kërkojnë maksimalen. Nuk ngopen sepse ashtu është korrupsioni, o bëhet gjigant dhe me përmasa të frikshme, ose nuk bëhet dot!
Pse jemi minimalistë? Sepse mënyra si janë bërë ligjet, si funksionon qeveria, si është modeli social, nuk ka rrugë tjetër!
Sa më pak zgjedhës të paraqiten në votime aq më mirë është për forcën politike në pushtet, cilado qoftë ajo! Pse? Sepse të pakënaqurit më mirë të rrinë në shtëpi, sesa të votojnë!
Sipas ligjit edhe sikur vetëm deputeti ose kryetari i Bashkisë të shkojë në votime vetëm, apo edhe me gruan, vjehrrin, vjehrrën, ndonjë kushëri, kaq mjafton për t’i quajtur zgjedhjet e rregullta. Merr njëqind për qind të votave me pesë veta në votime!
Informacioni për qytetarët, kultura?! – Ikni o budallenj doni informacion ju, doni kulturë? Në fund në botën tjetër do të shkoni të gjithë, dy metra dhé duhen! Ja mjaft e keni ca lajme politike, ndonjë estradë në televizion dhe fshini buzët!
Shifni fjalimet e deputetëve në Kuvend, ata si recitojnë vjersha, si fyejnë njëri tjetrin! Kaq! Mjaft e keni! Blini me lekë propagandën politike! Dashkeni dokumentarë, filma shqiptarë, teatër a ndonjë gjë më të lartë!
Minimumin mo, sa të dini shkrim e këndim që kur të shkoni në gjyq a në polici, a të paraqiteni për të plotësuar formularin e taksave ta dini se ku hidhet firma. Më shumë çfarë duhet?
Një shitësi në kioskë, i duhet vetëm tabela e shumëzimit, 6 X 8 = 58, kaq!
Doni informacion për cilësinë e frutave dhe perimeve, për mishin, pulën dhe sallamin, a vezën? Ikni mor fshini buzët! A nuk mjafton që preshi ka formën e preshit, por doni të dini edhe sa pesticide ka! Doni të dini nga vjen pula!!! Rrallê ndonjë vezë me grip pulash!
Minimumin! Mbushni barkun me oriz, makarona, ndonjë copë marmallatë, dhe ikni !
Buxheti i familjes? Plotëson vetëm ndonjë kafe për babin, lekët e karburantit për makinën shkatarraqe, dhe kaq. Ku ka lekë familja për të blerë romane, për bibliotekë, për të blerë kompjuter, lidhur Internet të shpejtë, paguar për ndonjë sallë sporti, a gjë pe gjëje! Nuk ju mjafton celulari vetëm për sms, dhe kaq! Mos më merr në telefon vetëm zile më bëj se e kuptoj vetë se çfarë do të thuash!
Treg fshatar? Ja mo me këto banaqet e pista, pse e doni me ujë, çezma, me korrent, me pajisje frigoriferike, me ngrohje për në dimër? Ku jemi këtu, në Tailandë?
Zilja e telefonit? Po i re një herë, dy, tre, e kuptoj kuptimin, është bërë telefoni si aparat mors!
Pagat? Minimale!
Veshjet? Te Gabi! Minimale! Pse ça do ti, Louis Vuiton?
Çantat? Te kontrabanda, me çmim të ulët, por me logo markash botërore! Tundu e shkundu me të!
Berberi? Futi një karre të fortë!
Gjithçka, gjithçka minimale.
Koha e lirë! Ja ndonjë kafe te lagja!
Minimale gjithçka!
Ore mos vepron akoma ligji që zbuloi Marksi mbi uljen tendenciale të vlerës të mallit punë njerëzore? Dhe nuk e dimë!
Dashke më shumë? Sapo kemi dalë nga tërmeti. Pastaj Kovidi. Tani lufta në Ukrainë!
Kaq!
Ky është kapitalizmi mo, çfarë doni?
Por ne sikur ishim nisur drejt shoqërisë së bollëkut!
Veç rrogave të deputetëve, të gjithë të tjerët me paga minimale.
Ku kanë lekë familjet e studentëve të blejnë libra?
Rekomandoju vetëm minimalen!
Minimalisht të rinj, të vjetër, ruralë, zvoglohet në minimum popullsia! Po ç’i duam mo! Ndërtojmë resorte dhe fitojmë lekë me turistë!
Cilësia e mësimdhënie? Minimale mo, i ngopim me lugë të zbrazët. U marrim paratë dhe u shesim ajër!
Rrudhet gjithçka, edhe mendja!