Të gjithë sytë mbrëmjen e djeshme në sallën “Feti Borova” ishin tek ai, te Briken Calja, sportist që çdo vit ka qenë ambasadori më i mirë i Shqipërisë me medalje të arta dhe rezultate historike. Por peshëngritësi shtërmenas nuk mundi të dhurojë një tjetër garë magjike, kjo edhe për shkak të gjendjes së tij fizike. Pas garës Calja u shfaq i zhgënjyer dhe në lot, ndërsa dëmtimi nuk e linte as të lëvizte. Megjithatë, ai u ndal të prononcohej për mediat, me zërin e dridhur dhe mes lotësh, Calja u shpreh:
“Kam kaluar një fazë jo të mirë këto javë të fundit. Edhe dhimbjet i kam pasur shumë të mëdha, do të doja që të bëja maksimumin tim, por me sa duket ky ishte fundi dhe supi nuk më mbajti më.
Ky është sporti, edhe pse ishte e pamundur për mua që të vazhdoja, egoja më bëri që t’i shkoja deri në fund. Më vjen vërtetë shumë keq, sepse isha në vendin tim. Dua që t’i falënderoj të gjithë të pranishmit, por më vjen vërtetë shumë keq.
Ndihem shumë keq (shpërthen në lot), por kështu paska qenë e shkruar kjo garë, e cila ishte më dobëta e karrierës për mua. Siç e thashë, kam pasur jashtëzakonisht shumë probleme, shëndetësore mbi të gjitha dhe ishte e pamundur”, thotë kampioni i botës dhe sportisti me rezultatin më të lartë në historinë e Shqipërisë në olimpiadë.
Edhe pse i zhgënjyer, Calja nuk dorëzohet dhe premton se do të rikthehet akoma më i fortë, ndërsa përgëzon edhe Qerimajn:
“Tani shpresoj të rikuperohem. E kam faktuar dhe do ta faktoj që Brikeni do të kthehet akoma më i fortë. Medalja e Erkandit është pa diskutim një lajm i mirë, pasi mbi të gjitha ne jemi shokë dhe miq. Rivalitetin e kemi thjeshtë në pedanë. Ju kërkoj edhe një herë tjetër ndjesë”, shprehet Calja.