Një grabitje me dhunë ka ndodhur gjatë natës në Vermosh. Mësohet se, dy të moshuar janë lidhur dhe grabitur nga persona të armatosur dhe me maska. Pre e grabitjes kanë rënë Tom Tinaj me bashkëshorten, në qendër të fshatit Vermosh. Burime bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pas mesatës.
Grabitësit, pas largimit nga Vermoshi, mësohet se kanë pësuar aksident me automjet. Në fshatin Selcë kanë marrë një automjet tjetër nën kërcënimin e armës duke u drejtuar drejt pikës kufitare të Grabomit. Aty kanë braktisur automjetin dhe kanë ikur në këmbë në drejtim të Malit të Zi.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 02.20, në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe, 2 persona ende të paidentifikuar, kanë vjedhur me dhunë në banesën e shtetasit T. T., disa sende me vlerë dhe një shumë parash. Më pas, këta shtetas kanë marrë automjetin tip “Volkswagen” që ka qënë i parkuar në oborrin e banesës së shtetasit T. T. dhe janë larguar.
Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj.