Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se, vendet perëndimore duhet t’i dërgojnë Ukrainës më shumë armatime të rënda, teksa forcat ruse vazhdojnë të përparojnë në lindje të vendit.
Gjatë një deklarate për mediat, pas takimit me shtatë liderët evropianë të vendeve aleate të NATO-s, Stoltenberg theksoi se Ukraina duhet të ketë më shumë armatime të rënda. Në prag të samitit të NATO-s që do mbahet në fund të qershorit në Bruksel, Stoltenberg u shpreh se pavarësisht mbështetjes së koordinuar që aleanca i ka dhënë Ukrainës në më shumë se tre muaj luftë, kërkesat e Kievit për më shumë armatime janë rritur javët e fundit, pasi forcat e saj janë në disavantazh në luftën për të përballuar përparimet ruse në Ukrainën lindore.
Ndërsa Stoltenberg ra dakord që Kievi duhet të furnizohej me më shumë armatime të rënda, ai nuk dha detaje të tjera. Kryeministri holandez Mark Rutte dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen pritën Stoltenberg dhe liderët e Polonisë, Rumanisë, Letonisë, Portugalisë dhe Belgjikës përpara samitit të NATO-s.
Rutte tha se vendet e NATO-s të përfaqësuara në takimin në Hagë besonin të gjitha se “është thelbësore që Rusia të humbasë luftën” dhe Ukraina duhet të ketë akses në të gjitha armatimet e nevojshme për të luftuar këtë betejë.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha se veprimet e deritanishme të Perëndimit nuk e kanë mbështetur mjaftueshëm Ukrainën. “Ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mbrojtur Ukrainën, për të mbështetur popullin ukrainas, për të mbështetur lirinë dhe sovranitetin e tyre,” tha ai në konferencën për shtyp.
“Dhe kjo është arsyeja pse unë ju bëj thirrje, ju kërkoj të bëni shumë më tepër për të dërguar armë, artileri në Ukrainë. Ata kanë nevojë për këto në mënyrë që të mbrojnë vendin e tyre.”
Vendet perëndimore nuk do të kishin besueshmëri nëse Ukraina do të humbiste kundër Rusisë, shtoi ai. “Ky do të ishte një dështim dhe katastrofë e plotë e Bashkimit Evropian, e vlerave tona dhe e NATO-s,” tha Morawiecki.
Stoltenberg tha se liderët e NATO-s do të “bien dakord për një afirmim më të madh të qëndrimit tonë” në samitin e Madridit. NATO duhet të ndërtojë “gatishmëri edhe më të lartë” dhe të forcojë aftësitë e saj të armatimeve përgjatë kufirit të saj lindor në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, shtoi ai.
I pyetur në lidhje me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me aleancën, Stoltenberg tha se ai po kërkonte “një rrugë të bashkuar përpara” për të zgjidhur kundërshtimin nga Turqia, e cila kritikon hapur atë që ajo e konsideron si mbështetje suedeze ndaj militantëve kurdë. /REL