Harta e re Gjyqësore, Ligji i Fiskalizimit dhe ndryshimet ne Ligjin për Tatimet mbi të ardhurat, do të jenë sot në ‘menunë’ e Tryezës së PD me profesionistët e drejtësisë. Në takim do të jetë Kryetari i PD, Sali Berisha.
Në orën 18.00 në Hotel Tirana zhvillohet Tryeza me specialistët e profesioneve të lira të lidhur në mënyrë direkte apo indirekte me Sistemin Gjyqësor.
Në tryezë pritet të diskutojnë avokatë nga Dhomat e Avokatisë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë, Lorval Petani, Genc Gjokutaj, Ankelita Çela, Arben Lena, Kryetarja e Dhomës së Ndërmjetësuesve Drita Avdyli dhe Ylli Manjani Avokat, nga Dhoma e Avokatisë në Tiranë.
Organizatorja e tyezës, Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja thekson se “Objekti i takimit janë diskutime dhe propozime nga profesionistë të fushës mbi sfidat në Sistemin e Drejtësisë si dhe ndikimi i hartës së re gjyqësore, ligji i fiskalizimit dhe ndryshimet e ligjit per Tatimin mbi Te Ardhurat në profesionet e lira.
Po kështu janë të mirëpritur gjithë idetë dhe propozimet për zgjidhjen e këtij ngërçi me pasoja direkte në gjithë sektorët jetikë të vendit”, shprehet Adriana Kalaja.
ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT, PD