Deputeti i PD, Agron Shehaj hodhi akuza sot në Kuvend ndaj qeverisë së Ramës dhe Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, të cilën e ka denoncuar për përfitime nga pasuritë shtetërore, konkretisht, nga resorti prej 5 milionë eurosh në Dhërmi.
Shehaj kishte kërkuar interpelancë me Ramën për investimet strategjike, por ai ndodhet në Bruksel, kurse Xhaçka ishte e pranishme në seancë. Deputeti demokrat tha se, Kryeministri Rama ka favorizuar familjen e ministres Olta Xhaçka duke e bërë atë investitor strategjik në projektet në plazhet e jugut.
“Vini këtu me xhepa bosh e dilni me resorte me 5 yje, e thoni do investojmë miliona. Ku i gjetët?”, ju drejtua Shehaj ministres Xhaçka.
“Të bësh interpelancë për vjedhje në këtë qeveri duket absurde, tha Shehaj. Çdo koncesion një krim, çdo ligj – një favor, çdo tender- një grabitje. Xhaçka, Rama marrin përfitime për veten e tyre. Afera për të cilën flasim sot është e paprecedentë: një qeveri mblidhet dhe merr vendim për favore publike ndaj një politikani!!! A e dinte Rama që po i falte plazhin publik për 30 vite, Ministres së Punëve të Jashtme?!”, theksoi deputeti.
Rama i dha statusin e investitorit strategjik familjes së Xhaçkës nëpërmjet bashkëshortit dhe vëllait të saj: “Për të mashtruar ligjin, familja ministrore krijon një kompani me emër të ngjashëm, jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të ngushtë. Pronarja e kësaj kompanie në letra është një shtetase amerikane, 31 vjeçe; kapitali i saj- bashkëjetesa me vëllanë e Xhaçkës!!! A mund ta mbajë postin, ministrja pas kësaj?!”, ngriti pyetjen Shehaj.