Edi Rama gjithmonë ka refuzuar të flasë për arsimimin e tij. Një nga fobitë që e ka shoqëruar atë gjithmonë ka qenë pikërisht edukimi. Kjo ndoshta edhe nga fakti se nuk ka shumë për të treguar.E vetmja diplomë që disponon është ajo e Akademisë së Arteve, në programin pikturë.
Edukimi arsimor dhe universitar i kryeministrit që qeveris Shqipërinë prej vitit 2013, fillon dhe mbaron te piktura. Si rrallë herë, ai sot pranoi se nuk ka shkollimin e duhur.
Në ceremoninë e maturës së shkollës “Sami Frashëri”, në mjediset e reja të shkollës së rindërtuar, Rama tha se ai nuk ka një diplomë masteri, aq më tepër doktoraturë, por ka një diplomë bojaxhiu, si piktor.
Edi Rama: Së pari, dua të ju uroj nga zemra prindërit tuaj. Në radhë të parë, nënat tuaja që ju kanë ndenjur pranë çdo ditë. Që ju presin me zemër të ngrirë kur vonoheni në darkë dhe që ju duan nga ju më të mirat. Çunave ju uroj të mos i harrojnë kurrë sakrificat e nënave dhe të baballarëve. Me këtë rast, nga këtu nuk ka vend më të mirë për t’i uruar me gjithë zemër prindërit e maturantëve.
Së dyti, falenderoj nga zemra të gjitha mësueset tuaja për të gjithë kujdesin që kanë treguar dhe për respektin që tregoni për ta.
Më vjen keq që ju tani po ikni, ndërkohë që shkolla e re do të hapet në Shtator, por janë pak shkolla ndër të cilat është dhe Sami Frashëri që nuk janë vetëm shkolla, por vllazëri që vazhdon në vite dhe dekada. Unë nuk e kam pasur fatin që të kem qenë tek Samiu, i përkas ketegorisë së dytë, kam qenë tek Liceu Artistik. Jo të gjithë e kanë fatin që të shkojnë tek Samiu apo disa shkolla që janë kulte.
Nga të gjithë këta të rriturit këtu, jam i bindur se unë jam i vetmi që nuk kam doktoraturë, as master, kam një diplomë bojaxhiu. E rëndësishme është që ju kurrë të mos dorëzoheni për të realizuar çdo ëndërr që e shikoni me sy hapur. Nga ëndrrat me sy mbyllur bëni kujdes. Kjo botë është e atyre që nuk dorëzohen, unë ju uroj nga zemra që ju të realizoni ëndrrat tuaja. Kini besim, asgjë nuk është e pamundur nëse ju keni besim.