Protestës së thirrur nga Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do t’i bashkohen edhe aleatët e Partisë Demokratike. Interesit të gazetarëve iu përgjigj dje kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Sipas këtij të fundit, shqiptarët kanë shumë arsye për të dalë në shesh kundër qeverisë. Ai shtori se nuk ka koordinim me organizatorët, por vlerëson se të gjithë duhet të dalin në protestë.
“Po, ne do marrim pjesë, PAA, nuk kemi asnjë lloj rakordimi me zotin Berisha apo organizatorët e protestës, por mendojmë që për çështjet të cilat bëhet protesta, për çmimet etj., por sidomos për problemet që ka bujqësia sot, mendoj që PAA duhet të jetë prezente në protestë, edhe për të dhënë një mesazh për gjendjen e bujqësisë sidomos për heqjen e TVSH për inputet bujqësore etj.”, tha Duka.
Ndërkohë, më herët ka konfirmuar se do t’i bashkohet protestës për krizën e çmimeve edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, është shprehur se qytetarët duhet të dalin në protestë edhe për vjedhjen që u është bërë me inceneratorët.
Edhe shumica dërrmuese e deputetëve të Partisë Demokratike kanë konfirmuar se do të jenë në protestë të enjten e ardhshme. Ata shprehen se kjo është nevojë kombëtare.
“Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është që përveç përfshirjes, të kërkonin edhe mendime më tej se sa përfshirja. Duhet të kuptojmë qartë që Grupi Parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët. Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do t’i bashkojë demokratët. Pastaj se çfarë do të bëjë hierarkia lart, është çështje më e madhe se kaq”, tha Duma, duke theksuar se do të vijojë takimet për të ftuar mbështetësit në protestë.
Ndërkohë, deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi, u shpreh se nuk duhet të vendoset në pikëpyetje nëse mbështesin Berishën apo Bashën, por shqiptarët e demokratët. “Për të marrë pjesë në protestë, unë nuk e ndërroj, ju kam thënë që do të marr pjesë. Me strukturat jam përditë. Varet çfarë strukturash, se i kemi dyzuar strukturat. I kemi shartuar njerëzit në atë farë feje saqë nuk pyesim më: ‘A je kundër kësaj qeverie, apo jo?”, por pyesim: ‘Je me Lulin apo me Saliun?’. Unë mendoj që duhet të jemi të gjithë Partia Demokratike dhe nuk ka më struktura, ka demokratë. Kjo është zgjidhja të shkojmë në protestë kundër qeverisë, jo sepse jemi me njërin apo me tjetrin. Kështu gjykoj unë”, tha Korreshi.
Kurse Xhelal Mziu tha se shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë më shumë arsye për të protestuar. “Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare sesa sot. Kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit. Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë edhe vendin e 7-të në botë për sa i përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve”, tha Mziu.