Protesta “Berisha” apo shqiptarët “non grata” në Shqipëri ?

Albert AVDYLI

Sali Berisha, nën logon e Partisë Demokratike, ka thirrur një protestë popullore më datë 7 korrik, ora 19:00, në Tiranë
.
Kryeqyteti është zjarr këto ditë, ai digjet nën 40°C dhe vrundujt e vapës të fshikullojnë nga ajri, nga betoni dhe asfalti.
Zjarr është Shqipëria jo vetëm nga dielli përvëlues i korrikut, por më tepër digjet dhe harxhon energji, duke shkrirë fibrat e ekzistencës njerëzore. Me çmime stratosferike dhe kurrë të imagjinuara, Shqipëria, si një nga vendet më të varfëra në Evropë, po përpëlitet në luftën e mbijetesës.
Veç këtyre faktorëve, klimën politike, që në fakt mbart edhe rrjedhojat ekonomike, e kanë rënduar së tepërmi faktet e vjedhjes së buxhetit të shtetit me metodat më banale të mundshme.
Sipër të gjitha këtyre, qëndron arroganca e pushtetit dhe ironia proverbiale e kryeministrit më batutaxhi në glob.
I pandalshëm në mënyrën sesi shpërndan pasurinë kombëtare, ai ka krijuar tashmë modelin, që gjithçka varet nga ai dhe çdo gjë që mund të kryhet me firmën e tij, nuk duhet të dalë prej oborrit ministror, miqësor dhe të interesave të një grusht njerëzish.
Rasti i fundit i denoncuar publikisht, ku familja e ministres së jashtme, përfiton mijëra metër katror në bregdetin e lakmuar shqiptar, ka nxitur një tjetër valë urrejtjeje ndaj qeverisë.
Aferat e dala këto ditë, kur 90 vjeçar, të strehuar nëpër shtëpi të moshuarish, janë përdorur për të vjedhur miliona euro e kanë traumatizuar shoqërinë shqiptare.
Largimi i rinisë me shpejtësi galopante, drejt vendeve të tjera, po e plak Shqipërinë me ritme të pabesueshme.

Jo vetëm rinia e diplomuar, por edhe familje të mesme në moshë dhe ekonomi, po ikin duke braktisur gjithë çfarë kanë investuar në vite.
Kompensimet e munguara përballë inflacionit të lartë e kanë çuar popullsinë në zgrip të jetës.
Zhvfleftësimi i lekut në masën gati 50%, krahasuar me 10 vite më parë dhe mos ngritja e pagave për të njëjtën periudhë kohore, ka çuar nëpunësinë dhe administratën publike të frenojnë shpenzimet për konsumin bazë dhe jo më të mendojnë për harxhime fundjavash apo e extra të tjera.
Çmimet e banesave, pothuajse të njëjta me kryeqytetet më të pasura të botës, janë pamundësi për familjet e reja, që guxojnë të rrinë ende në këtë vend, por psikologjikisht janë vrasëse për këdo shqiptar.
Nga vijnë këto para, si burojnë, në çfarë gjirizesh prodhohen, kur ekonomia e vendit nuk ka mundësi të tilla gjeneruese.
Rritja e borxhit në kurba fantastike mbetet një kërcënim serioz për ngrehinën e shtetit dhe trashëgimi plagësh për ata, që janë ende fëmijë djepi në familjet tona.
Dhe… faktet e lartpërmendura janë episode në zinxhirin e gjatë shtetëror, që kërcet dhe ndihet jo vetëm në stomak, por në shpirt.

Jashtë analizës, por jo vëmendjes, ka mbetur ngecja në dyert e Evropës. Paralizë që prej gati një dekade as kemi guxuar t’i biem ziles së asaj porte, paçka se kemi festuar disa herë sikur të ishim në odat e mëdha të kontinentit të vjetër.
Tani rikthehemi te titulli dhe përcaktori “non grata”
Përballë gjëmës shtetërore, mediat dhe jo vetëm, si një kundrapeshë vendosin Berishën e padashur nga një fuqi madhore.
Fakti është i tillë, por në këtë rast “fajtori” Berisha, me apo pa thonjëza, nuk e ul dot kandarin e bilanceve mjeruese të pushtetit.
Shqiptarët janë një popull emocional dhe me temperamentin tipik ballkanas, por kokë turku vështirë se bëhen edhe pse në shumicë mysliman.
Ata, në heshtjen e tyre, në pakënaqësinë ndaj Berishës, kanë dhe disa stereotipe, që tashmë i kanë rikthyer.
Kush janë këto ?- lind pyetja.
Ja disa:

Më së pari, dëgjohet pa ngurrim, rrugët e mëdha të asaj kohe, tunelet e gjata etj, por do zbresim në pragun e shtëpive…
Në kohën e Berishës, e mbushja makinën plot me naftë dhe ikja në fundjavë, kështu shprehen të paanshmit.
E kam lyer shtëpinë që në vitin kur ishte PD në pushtet, këto janë familjet e ndihmës ekonomike.
Në kohën e doktorit, nuk kisha pasuri të madhe, por nuk diskutoja çmimet dhe shkollova fëmijët, demokratët janë te ky grup.
Mirë që bleva shtëpi në kohën e malokut, se ndryshe as me qera s’do rrija dot, kuptohet që këta janë fanatikët e kampit tjetër politik.
E sa, e sa të tjera…
Në rrafshin praktik dhe të luftës politike, por edhe të “luftës” luftë, kur kam një armik të madh përballë, harroj inatet me atë, i cili ka të njëjtin armik që kam edhe unë.
Ky është një këndvështrim, se dikush do ta sillte në sintezën popullore që “armiku i armikut tim është miku im”, për aq kohë sa raportet janë të tilla.
Secili e sheh si do dhe vepron si gjykon.

A përfiton Berisha nga protesta e shqiptarëve ?
Sigurisht që po, ai konfirmon mbështetje popullore ose jo, por nëse prevalon “Jo”, kjo është një aprovim se shqiptarët vetëshpallen “non grata” në vendin e tyre.
Mendoj se më lehtë është Berisha non grata në Amerikë sesa Shqiptarët non grata në Shqipëri.
Fjalia para kësaj që po shkruaj mbart dy dilemat e dt 7 Korrik.
Ne mbase nuk zgjidhim dot të parën, por e dyta varet nga ne.

About Redaksia

Check Also

Skandali/Veliaj i dha Ajolës rreth 97 mijë euro në vetëm 1 vit nga fondet e Bashkisë

Ola XAMA Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë Ajola Xoxa rezulton të jetë e punësuar …

Leave a Reply