Thellohet akoma më shumë skandali i kompanive që u krijuan për evazion fiskal dhe bashkëpunonin me kompaninë e Inceneratorit të Tiranës.
Një ditë pasi 90-vjeçarja Haxhire Gurakuqi deklaroi publikisht se pranë saj ishin paraqitur persona për t’i kërkuar firmën, e cila më pas ishte përdorur për t’i ngarkuar tre kompani që kishin realizuar rreth 30 milionë dollarë xhiro vjetore, ABC kontaktoi me familjarët e Thanas Çanit, pensionistit tjetër të përfshirë në skemën e kompanive që pasi kryenin evazion fiskal shisnin kompanitë e tyre.
Ardjan Çani deklaron se familja e tij dhe babai i tij Thanas Çani e mësuan vetëm nga media faktin se babai i tyre ishte i përfshirë në një skemë ku ndonëse qarkullonin miliona dollarë nuk ka përfituar asnjë qindarkë.
“Kjo që ka ndodhur jo vetëm është si skenar filmash, por është e ngjashme me episode humoristike. Nuk na ka njoftuar as krim ekonomik dhe askush. Ne e kemi marrë vesh vetëm kur gjetëm emrin e babait dhe foton e tij nëpër portale. S’ka ardhur asnjë letër që të na njoftoi as tek unë dhe as tek babai im. Nuk jemi njoftuar për asgjë nga këto që kanë ndodhur gjithë këto vite”, tha ai.
Djali i pensionistit që u përfshi në skemën e kompanive që bashkëpunonin me inceneratorin e Tiranës thotë se, do të ndjek të gjithë rrugën ligjore për zbardhjen e ngjarjes.
“Unë do ta ndjek çështjen ligjërisht. Këto janë çështje të cilat ne si familje po i konsultojmë. Ana morale, i takon të gjithëve të bëjnë pjesën e tyre. Ju si media bëjeni pjesën tuaj të tregoni se çfarë ndodh në këtë vend”, tha ai.
Emrat e pensionistëve 90 vjeçar pa lidhje mes tyre, Haxhire Gurakuqi dhe Thanas Çanit u denoncuan nga LSI, si persona që kishin marrë në zotërim 3 kompani që kishin qarkulluar rreth 30 milionë dollarë, por që siç ka rezultuar nuk kanë përfituar asgjë dhe shkresat për ta janë falsifikuar.