Kryetari i PD, Sali Berisha ka publikuar videon e debatit me Edi Ramën sot gjatë seancës së Kuvendit.
Lideri demokrat nuk u lejua nga Lindita Nikolla, të merrte fjalën në foltore, por ai foli pa mikrofon, duke i përcjellë mesazhe të forta kryeministrit. Berisha i kujtoi Ramës abuzimet dhe vjedhjet, duke e quajtur kryehajdut të Ballkanit dhe Europës.
Vendin Rama e ka në birucë, tha Berisha, duke shtuar se bashkë me shqiptarët ka për ta bërë copë monizmin e tij. Gjithashtu, Berisha i tha Ramës se do ta paguajë shpifjen që ka bërë për të, në bashkëpunim me George Soros.
Replika me Ramën në Parlament
Sali Berisha: Nëse kam një gjë për të cilën mund të të bëj një gjysmë falënderimi, është shpifja që ke bërë me Sorosin për mua. Se kush ka humbur nga ajo, koha do të flasë. I bindur të jesh ti që do ta paguash atë shpifje për të gjithë shqiptarët dhe para të gjithë shqiptarëve.
Jam këtu, jam ky që jam, jam i vendosur që monizmin tënd do ta bëj me shqiptarët copë dhe ti të ardhme nuk ke. Ti do mbetesh një kryehajdut i Shqipërisë, një kryehajdut i Ballkanit dhe kryehajdut i Europës. Kur thotë populli “boll vodhe, ik”, nuk thotë ik në pension, por thotë ik në birucë dhe aty do të shkosh.
Çdo vjedhje që ke bërë, do të dalë për hundësh se e meriton. Ke vjedhur sa askush në asnjë vend, në asnjë komb. Ti je një hajdut i nivelit më të lartë.