Edison BALLA
“SPAK” E DI MIRË:
Se nuk mund të bëhet korrupsion në nivel të ulët në administratën publike, pa pasur dijeni drejtuesit apo eprori i insitucionit. Pra duhet shkuar te koka e problemit.
Se ndjekja penale dhe efektshmëria e hetimeve nuk mund të jetë çështje statistikash për të “ushqyer” median e kënaqur ambasadat, por punë serioze e profesionale që lidhet vetëm me zbatimin rigoroz të ligjit.
Se tenderat nuk i manipulojnë antarët e KVO-ve apo KMO-ve që janë specialistë të thjeshtë e paguhen me rroga mizerabël, por fituesit e tenderave paracaktohen nga drejtuesi/kryetari i insitucionit. Ndaj kot u bihet në qafë punonjësve por të gjendet mekanizmi që të hetohen të parët.
SPAK-u e di mirë se ku veprojnë bandat kriminale, madje edhe se kujt i shërbejnë e me kë bashkëveprojnë, qoftë në sferën ekonomike apo atë politike. Ndaj edhe përdorimi profesional i kapaciteteve logjistike që kjo strukturë ka do ta çonte shpejt tek e vërteta.
SPAK-u e di mirë gjithashtu se kush politikan, ministër, ish ministër apo ish-funksionarë të mëparshëm kanë ndërhyrë në proceset zgjedhore. Përsa kohë ka përgjime e të dhëna publike është e kollajshme fare, ndaj kot që humbet koha.
Po ashtu SPAK-u e di mirë se nga vijnë paratë e pista e si pastrohen këtu me ndërtime e lloj-lloj formash të tjera. Ndaj dhe mënyra më e thjeshtë për të shkuar tek burimi është “të ndjekësh paranë”.
P.s Përsa kohë këto i dimë ne, SPAK, i di akoma më mirë ndaj edhe asnjë justifikim nuk mund të pijë ujë.