Kastriot Islami
Tashmë s’është as supozim, as hamendësim e as qëndrim i opozitës për interesa politike. Shqipëria është e rrezikuar në ekstrem nga boshatisja. Prej disa vitesh shqiptarët po emigrojnë masivisht duke zënë vendin e parë në vendet e BE për numrin e azilkërkuesve për frymë të popullsisë. Duke ia kaluar vendeve të rajonit, por edhe Sirisë, Afganistanit, Irakut, Libisë e disa vendeve të varfra të Afrikës. Këtë fakt e konfirmon edhe Banka Botërore, që parashikon se pas 50-60 viteve nga vendi mund të jenë larguar mbi 1.7-2 milion shqiptarë të tjerë…
Deri në këto momente janë larguar një pjesës e madhe e “trurit”, pra individë me formim universitar e profesional, një pjesë e madhe e forcës së punës kryesisht nga sektori i shërbimeve, mjekësisë, shumica të rinj energjikë, por edhe shumë familje nga “klasa e mesme” e shoqërisë e shumë e shumë të tjerë… Boshatisja është shoqëruar në këto vite me rrudhje të veprimtarisë prodhuese në shumë sektorë; kjo ndjehet kudo dhe për këtë s’ka më asnjë dyshim. S’gjenden dot punëtorë për shërbime të ndryshme, ndërkohë numri i mjekëve të aftë po ulet me shpejtësi. Funksionaliteti i vendit është në rrezik për të mos thënë është dëmtuar në ekstrem.
Përgjegjëse për këtë situatë në 10 vitet e fundit kur emigrimi ka marrë përmasa masive është qeveria aktuale, aq sa është krijuar përshtypja në publik se qeveria aktuale me politikat, sjelljet e veprimet e saj po e nxit boshatisjen e vendit, sidomos emigrimin e të rinjve përmes papunësisë e mungesës së perspektivës dhe zëvendësimin e shqiptarëve me qytetarë nga zonat të tjera të globit përmes një “skenari” që qeveria ka marrë përsipër ta aplikojë me sukses në shkëmbim të mbështetjes për të qëndruar sa më gjatë në pushtet.
Nëse kjo boshatisje e vendit do të vazhdojë me ritmet e deritanishme, duke “konfirmuar” shifrat e BB, atëherë vendit do t’i cenohej ekzistenca, deri në projeksionin ekstrem të “fshirjes së vendit/kombit nga harta e globit”. Ky do të ishte një realitet i hidhur, gjë që shqiptarët aktualisht kryesisht për shkak të halleve e problemeve të mëdha me të cilat hasen çdo ditë, as e shikojnë, as e ndjejnë dhe as e besojnë, e madje në këto momente e konsiderojnë me të drejtë marrëzi një opsion të tillë… Opsioni i boshatisjes drejt cenimit të ekzistencës s’mund të jetë synim shqiptar sepse shqiptarët, pavarësisht largimit masiv, e duan shumë vendin e tyre, por s’arrijnë në këto momente të kuptojnë se me emigrimin e tyre nga hallet e shumta, me mosreagimin apo mosangazhimin e mjaftueshëm, që lidhen me varfërinë e vuajtjet e tyre të përditshme, janë kthyer gradualisht në mbështetës të këtij “projeksioni antishqiptar” që po çon drejt cenimit të ekzistencës së vendit ose thënë ndryshe drejt “fshirjes së vendit nga harta e globit”. Shpresoj e uroj shumë që kjo të ndalohet e kështu të mos ndodhë…
Kjo boshatisje do të thotë largim i të rinjve, “trurit”, profesionistëve e i atyre që merren me shërbimet duke mbetur në vend vetëm të pamundurit. Nëse boshatisja do të thellohej deri në shifrat e BB, atëherë vendi do të shkonte drejt kolapsit e zhdukjes. Kjo do të thoshte se edhe emigrantët e larguar nga vendi edhe të pamundurit që s’largohen dot, do të mund të mbeteshin pa atdhe. Kjo natyrisht do të ndodhte gradualisht, fillimisht atdheu s’do të ishte funksional, pra s’do të kishte shërbime, trajtim mjekësor, e tjerë, dhe më tej do të kolapsonte. Të shpresojmë se dukuria e boshatisjes të ndalohet. Të gjithë qytetarët e pashpresë, me ose pa dashje, kanë vetëm një mundësi shpëtimi: të reagojnë ndaj atyre që i lënë papunë e i nxisin të emigrojnë duke i frikësuar të mos reagojnë. Imagjinoni për një moment se çfarë do të mund të ndodhë nëse s’reagohet: varfëria, mungesa e shpresës, vuajtjet e hallet veçse do të shtoheshin; kështu vetëm do të rritej shpejtësia drejt kolapsit.
Shqiptarëve, por edhe shumë qytetarëve nga vende të ndryshme të rajonit e globit, duket sikur ua kanë paralizuar, me mjete e mënyra të sofistikuara, nervin e reagimit, për të shporrur të keqen dhe ndërtuar të mirën në vendet e tyre duke ju lënë si mundësi të vetme emigrimin që shoqërohet me boshatisjen e vendit të tyre… Dhe nëse kjo rrjedhje s’do të ndalohej nga veprimi opozitar, atëherë pas disa vitesh edhe vendi ynë do të hiqej nga harta e planetit. Ishalla kjo s’ndodh… Nëse kjo do të ndodhte, atëherë në historinë e planetit do të shënohej se “vendi u shua”… në kohën kur qeveriste Rama dhe opozita s’arriti të ndryshonte dot rrjedhën! Kjo s’është as e re e as e paditur; kjo ka ndodhur më parë me vendet të tjera që s’ekzistojnë më sot.