Ardi Stefa
Pa diskutim që zbulimi i një bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit është një lajm shumë serioz.
Edhe kur dëgjon që Luiza Gega fitoi dhe e ngriti atletikën shqiptare në piedestal të përmbyt krenaria!
Edhe rritja e rasteve me Coronavirus; edhe disa fletëthirrje nga SPAK; edhe deklarata e ministres së turizmit që kemi fluksin më të madh të turistëve, (edhe kur nuk është e vërtetë), edhe përqafimi i kryeministrit me ndonjë qytetar, ministër apo ambasador,janë tema që të mallëngjejnë.
Edhe kur mëson se sa kanë kushtuar operacionet plastike të buzëve e b*thëve të VIP-eshave tona të Dubait apo Big Brother-it tronditesh vërtet nga inojranca jote.
Por kur INSTAT publikon që popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2021 rezultonte 2.829.741 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me 1 Janar 2020 dhe në 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021, atëherë mendoj se kemi të bëjmë me temën kryesore të ditëve tona:
ÇËSHTJEN E MBIJETESËS SË ATDHEUT!
Nëntë vitet e fundit, janë karakterizuar nga një krizë e thellë ekonomike, (pavarësisht shifrave që paraqet qeveria), i rritjes galopante të çmimeve, i pakësimit të të ardhurave, i goditjes së ekonomisë së qytetarëve e bizneseve nga pandemia dhe sistemi i taksimit, i largimit të mbi 500.000 shqiptarëve nga vendi; janë karakterizuar nga dëshira e 11.000 maturantëve nga 31.000 që kishte sivjet Shqipëria për t’u larguar e mos u kthyer më, të pasuar më vonë edhe nga prindërit; kjo është radioskopia e shpejtë.
9 vite qeverisje të Rilindjes, ku ankthi i mbijetesës shkaktoi probleme serioze dhe shumë vdekje.
Ku të punësuarit e ndershëm panë t’u përgjymohen të ardhurat, sepse shteti lejoi evazionin fiskal me deklarimet qesharake të pagave në sektorin privat.
Ku lufta e egër e përditshme për mbijetesë nuk i lejoi të rinjtë të martohen, të krijojnë familje, ose edhe kur u martuan ngelën pa ose me një fëmijë.
Faktet dhe shifrat janë dramatike. Dhe kush bën se nuk kupton, thjesht shikon pemën dhe humbet pyllin, ose në kohën që i tregojnë Hënën, ai shikon gishtin. Ose përzgjedh të flerë gjumë.
Në një vend normal sot duhet të bëhej nami, në Kuvend dhe në rrugë, në çdo cep të Shqipërisë.
Të mos lejohej propaganda e sukseseve dhe e fasadave, as shplarja e trurit shqiptarëve.
Do të duhet të ishin 140 deputetë dhe të gjithë të flisnin për këto shifra. Që Shqipëria po “shuhet”, po plaket, po humbet dhe askush nuk bën asgjë për të ndryshuar rrjedhën e historisë.
Do të duhet të ishin bërë bashkë të gjithë deputetët për masat që duhen marrë tani e këtu. Masa që duhet të zbatohen, pavarësisht se kush qeveris. Ndoshta emergjente është edhe krijimi i një ministrie p.sh. të Popullsisë, e cila do të merrte besimin e të gjithë spektrit politik në mënyrë që në 2050 të mos biem në greminë.
Ky 9- vjeçarqë po mbyllet ishte katastrofik në të gjitha aspektet. Natyrisht gjithë sa jetuam; në politikë, ekonomi dhe shoqëri, ndikuan në pakësimin e popullsisë.
Por diçka duhet bërë dhe pa asnjë vonesë.
Po, bonusi i bebeve është një masë e mirë.
Po, leja e lindjes është diçka e mirë. Por këto nuk mjaftojnë.
Shteti duhet të vendime dhe masa edhe më të guximshme.
Çerdhe e kopshte që të shkojnë fëmijët e punonjësve, jo vetëm në sektorin shtetëror, por edhe atë privat. Nxitje reale për çiftet e reja të bëjnë fëmijë, nëpërmjet kredive të strehimit, ligjit që u mbron vendin e punës dhe rikthimin në të pas lindjes, dhënien e kredive të buta për banesa, masa të vërteta për rikthimin në atdhe të të rinjve që ikën jashtë vendit (brain gain).
Një sistem arsimor të denjë e cilësor, që të mos i nxisë si sistemi i sotëm të rinjtë të largohen pas studimeve të mesme e të larta. Dhe këtu duhen vlerësuar mësuesit e pedagogët me paga dinjitoze e trajtim dinjitoz. Por edhe të rinjve duhen t’u krijohen vërtet perspektiva që të mos braktisin atdheun dhe të punojnë nëpër “shtëpi bari” në Evropë.
Një sistem shëndetësor cilësor, që të ofrojë vërtet shërbime e trajtim mjekësor për shqiptarët. Edhe këtu duhen vlerësuar mjekët po me paga dinjitoze që të mos lenë vendin.
Një sistem sigurimesh e pensionesh, të tillë që pensionistët të jetojnë me dinjitet vitet e mbetura.
Një sistem politik ku korrupsioni,vjedhja e mashtrimi të mos jenë kryefjala e çdo shërbimi dhe e shtetit.
Rend publik ku qytetari të ketë garanci për jetën, pasurinë, familjen dhe të mos ndihet i kërcënuar nga mafia e krimi ordiner.
Ndoshta mund të duken utopi, ndoshta edhe patetike këto “masa” që thashë më sipër, por ka shumë masa që mund të merren, ligje që mund të bëhen e zbatohen. Edhe nëse nuk ua pret mendja “etërve tanë të kombit”, le të shohin pak vendet e zhvilluara dhe, në fund të fundit, le t’i kopjojnë.
Pasi po nuk e bënë/ bëmë, çdo vit të dhënat e popullsisë të INSTAT thjesht do të jenë një shifër e ftohtë.
Dhe nuk është aspak shaka kur popullsia e atdheut tonë pakësohet, kur Shqipëria vdes ngadalë…
*Autori është Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun, PD dega Vlorë