Shqipëria, vendi i drejtorave, për çdo 20 punonjës ka një drejtues

Një ndër pozicionet hierarkike më të lakmuara në Shqipëri dhe kudo në botë, është padyshim pozicioni i titullarit të një kompanie apo i njohur ndryshe si “CEO”. Por sa individë mbajnë tituj drejtues në Shqipëri dhe cilat janë të ardhurat e tyre mesatare? Për ti dhënë një përgjigje pyetjes së mësipërme, “Scan Intel” ka analizuar shifrat për 694,356 individëve, sipas të dhënave të muajit prill të vitit të kaluar, të bëra publike vetëm pak kohë më parë. Kështu, rezulton se në Shqipëri figurojnë të deklaruar pranë organeve tatimore të paktën 33,800 drejtues, disa prej të cilëve të emërtuar si “Kryetarë”, “Drejtorë”, “Titullarë Institucionesh” dhe “Administratorë”. Nëse do të bëjmë një raport të thjeshtë mes 33 mijë drejtuesve dhe numrit të të punësuarve në total, do të shohim se kjo peshë fiksohet në 5%, çka nënkupton se në Shqipëri ka 1 “Drejtor” për çdo 20 punonjës.

Por, sa variacione drejtuesish kemi në vend gjithmonë sipas listës së mësipërme dhe si janë të renditur këta të fundit, referuar pagës mesatare? Mbi 250 janë kategoritë e drejtuesve që figurojnë të deklaruar në databazën e Drejtorisë së Pergjithshme të Tatimeve, të paktën sipas listës së mësipërme, nga ku mund të përmendim rreth 13,554 Administratorë, 3,106 Drejtorë Ekzekutiv në Tregti, 1,335 Drejtorë Shitjesh, 1,258 Drejtorë Shkollash, 562 Drejtorë Marketingu, 515 Drejtor Drejtorish pranë Administratës Shtetërore, 389 Drejtorë Degësh pranë Institucioneve Financiare, 331 Drejtorë Ekzekutivë në Aktivitete Ndërtimi, 306 Drejtorë Burimesh Njerëzore, 130 Drejtorë në organizata humanitare, 20 Drejtorë Klubesh Futbolli, 47 Drejtues të Besimeve Fetare, 45 Drejtorë Minierash, 15 Drejtorë Burgjesh, 9 Drejtorë të Shërbimeve Zjarrfikëse, 5 Drejtorë Teatri etj.

Sa i përket renditjes sipas të ardhurave mujore, kryesojnë listën “Drejtuesit në Fushën e Zhvillimit” me një pagë mesatare bruto pranë 2,25 mln lekëve në muaj. Nuk përbëjnë aspak surprizë tre vendet që ndjekin në vijim. “Drejtuesit pranë Institucioneve Financiare dhe Sigurime” renditen të dytët në listë me një pagë mesatare bruto pranë 1.2 mln lekëve në muaj. Fill pas tyre , vijnë “Drejtuesit në Multimedia”, me një pagë mesatare bruto pranë 600 mijë lekëve, ndërkohë që “Drejtuesit në Shërbimet e Transportit, Naftës dhe Gazsjellësve” mbajnë vendin e katërt me rreth 500 mijë lekë pagë mujore bruto mesatarisht. “Drejtuesit e Drejtorive të Shërbimeve Operacionale”, “Drejtuesit e Përgjithshëm në Telekomunikacion”, “Drejtorët e Riskut”, “Kryetarët e Gjykatave dhe Organeve Ligjvënëse”, dhe “Drejtuesit në Shërbimet e Teknologjisë, IT dhe Informatikës”, “Drejtuesit në Shërbimet Shëndetësore” ndërkohë mbyllin 10 vendet e para të listës. Por edhe dy vendet e fundit në këtë renditje vijnë surprizë. Me një pagë mesatare bruto mujore prej 30 mijë lekësh, “Kryetarët e Partive Politike” mbajnë vendin e parafundit, ndërkohë që “Drejtorët e Filmit dhe Kinematografisë” rënditen në fund të listës, me rreth 25 mijë lekë pagë mujore mesatarisht me rreth 35 drejtues gjithsej, për të dy kategoritë të marra së bashku.

Pra, në kushtet e një popullsie me rreth 2 mln banorë në gjëndje pune aktive, me supozimin se të gjithë do të ishin të punësuar, do të kishim rreth 100.000 “Drejtorë” ose thënë më ndryshe shanset për tu bërë drejtues në Shqipëri janë të larta.

About Redaksia

Check Also

U gjetën 240 mijë euro fatura vetëm për garderobën e Ajolës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin e organizuar nga dega e PD Kamëz vazhdoi akuzat …

Leave a Reply