sh-presidenti amerikan, Donald Trump tha se ai nuk do të kundërshtojë publikimin e një urdhri për bastisjen e shtëpisë së tij. Në një deklaratë, Trump tha se inkurajon publikimin e menjëhershëm të urdhrit për kontrollin e shtëpisë së tij nga FBI.
“Publikoni dokumentet, tani!” tha Trump.
Sipas tij, ky kontroll jo vetëm ishte i panevojshëm, por mbi të gjitha ishte i motivuar politikisht.
“Jo vetëm që nuk do të kundërshtoj publikimin e dokumenteve që lidhen me bastisjen dhe thyerjen jo-amerikane, të pajustifikuar dhe të panevojshme të shtëpisë sime, por po shkoj një hap më tej duke inkurajuar publikimin e menjëhershëm të atyre dokumenteve, edhe pse ato janë hartuar nga demokratët radikalë të majtë dhe kundërshtarët e mundshëm politikë në të ardhmen, të cilët kanë një interes të fortë për të më sulmuar mua, siç kanë bërë për 6 vite”, shkruan Trump.
Reagimi i tij erdhi pasi mediat amerikane raportuan se agjentët e FBI po kërkonin në shtëpinë e Trump dokumente që kanë lidhje me armët bërthamore.
“Sondazhet janë më të forta se kurrë, mbledhja e fondeve nga Partia Republikane po thyen të gjitha rekordet dhe zgjedhjet e mesmandatit po vijnë me shpejtësi. Ky përdorim politik i forcave të zbatimit të ligjit është shumë i papërshtatshëm dhe joetik,” tha Trump.