Shqipëria renditet ndër vendet që kanë para një rritje të lartë të çmimeve të bukës në Europë, duke ia tejkaluar mesatares së Bashkimit Europian.
Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit për gushtin 2022 për bukën dhe drithërat ishte 20.4%, dmth që çmimet e bukës janë rritur me një të pestën. Ky është shtrenjtimi më i madh që nga viti 2008, kur rritja ishte 35%.
Ndërsa Eurostat ka raportuar të dhënat për shtrenjtimin e këtij produkti jetik në vendet e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, Buka, perimet, mishi – janë bërë më të shtrenjta. Çmimet për vajrat dhe yndyrnat e gatimit janë rritur veçanërisht ndjeshëm, por ushqimet kryesore të rëndësishme si buka janë bërë gjithashtu dukshëm më të kushtueshme.
Kjo ka ndodhur veçanërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka shqetësuar ndjeshëm tregjet globale pasi Rusia dhe Ukraina kanë qenë eksportuesit kryesorë të drithërave, grurit, misrit, farave vajore (veçanërisht lulediellit) dhe plehrave.
Në gusht 2022, çmimi i bukës në BE ishte mesatarisht 18% më i lartë se në gusht 2021. Kjo është një rritje e madhe krahasuar me gushtin 2021, kur çmimi i bukës ishte mesatarisht 3% më i lartë se në gusht 2020. Të dhënat mujore tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të inflacionit total, por jo aq i lartë (nga +3% në +10%).
Disa vende ishin shumë më të prekura se të tjerat. Norma mesatare më e lartë e ndryshimit të çmimeve të bukës u regjistrua në Hungari (+66% në gusht 2022), e ndjekur nga Lituania (+33%), Estonia dhe Sllovakia (të dyja +32%).
Ndërkohë, norma mesatare më e ulët e ndryshimit të çmimeve të bukës u regjistrua në Francë (+8% në gusht 2022), Holandë dhe Luksemburg (të dyja +10%).
Shqipëria renditet e 12-a në Europë për ritmin e lartë të shtrenjtimit të bukës. Vendi ynë ka konsumin më të lartë të bukës në Europë, një tregues i varfërisë së popullsisë, që i ka drithërat ushqimin bazë. (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB- që mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit) ishin 4.8%, në vitin 2020, më të lartat në Europë.
Mesatarja e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate (përjashtuar Turqinë dhe Kosovën) është 3% e GDP-së, shumë më e lartë se mesatarja prej 1.3% e 27 vendeve të Bashkimit Europian.
Në vlerë absolute, shpenzimet mesatare për banor për bukë e drithëra janë 220 euro në vit, më të lartat në rajon, së bashku me Malin e Zi (266 euro). Nivelin më të ulët në rajon e ka Maqedonia (157 euro) e më pas Serbia (164 euro). Vendet e zhvilluara shpenzojnë më shumë për frymë për këtë produkt, pasi është më i shtrenjtë, por për shkak të të ardhurave të larta, ai nuk rëndon në xhepat e tyre./MONITOR