Revoltë para Ministrisë së Arsimit, nxënësit e “Mehmet Akif” kërkojnë rihapjen e shkollës

Nxënësit dhe prindërit e kolegjit “Mehmet Akif” po protestojnë sot përpara Ministrisë së Arsimit kundër vendimit të qeverisë që urdhëron mbylljen e shkollës së mesme jopublike.  Ata, duke treguar kupat dhe medaljet e fituara, kërkojnë që të tërhiqet vendimi i qeverisë dhe kjo shkollë e mesme nga më cilësoret në vend, të vazhdojë mësimin duke e konsideruar si të pavërtetë justifikimin e dhënë nga Ministria e Arsimit për mbylljen e saj.

Vetë ky institucion, pasi u njoftua mbi VKM-në e datës 22 Shtator 2022 për mbylljen e aktivitetit të shkollës së mesme jopublike “Mehmet Akif” Tiranë, deklaroi se mbyllja e tij godet në radhë të parë arsimin cilësor në Shqipëri.

“Shkolla e Mesme jopublike “Mehmet Akif” eshte pjese e Fondacionit “Gulistan” prej 26 vitesh në Shqipëri dhe zbaton në mënyrë të përpiktë kuadrin ligjor të vendit, ndërsa mbart mbi vete një histori të madhe suksesi teksa është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira, – thuhej në deklaratën e drejtuesve të institucionit.

“Me dhjetëra medalje ari dhe qindra të tjera në olimpiada brenda dhe jashtë vendit, shkolla jonë është një krenari e nxënësve, prindërve që na besuan si edhe vetë Shqipërisë duke dhënë një kontribut të rendësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit këtu.

Jo më kot, institucionet përgjegjëse na kanë vlerësuar si ndër më të mirë për vite me radhë në këtë sektor. Deri më tani, në shkollën tonë janë arsimuar mijëra nxenës, të cilët sot përbëjnë elitën intelektuale të vendit, ndërsa duam të theksojmë se krahas tyre, vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxenës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës.

Pavarësisht sukseseve tona, dashurisë dhe përkushtimit ndaj arsimit, u përballëm me një vendim të tillë, i cili sipas nesh nuk ka të bëjë me arsimin apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi< ‘ theksohej në njoftim.

Si u shkua deri këtu, shton më tej institucioni.

Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”).

Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.

Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.

Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë. Çuditërisht më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit.

Ndodhur pëpara një vëndimi të tillë, kemi bindjen e plotë se drejtësia do e thotë fjalën e saj. Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor”, përfundon deklarata.

 

About Redaksia

Check Also

Rihapet dosja Rama-McGonigal në Shtetet e Bashkuara, kreu i qeverisë rrezikon burgun në SHBA

Mediat investigative në Shtetet e Bashkuara kanë rihapur dosjen Rama-McGonigal ku kreu i qeverisë shqiptare …

Leave a Reply