Partia Socialiste ka paguar 140 mijë dollarë për të lobuar për takimin e 17 majit të 2017-ës, mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Syri TV ka siguruar dokumentet e lobimit, ku bie ne sy fakti se kontaktet më të shumta janë kryer për të ndikuar tek Ambasada Amerikane në Tiranë. Dita me e ngarkuar për lobistët ka qenë pikërisht 17 maji, ku Edi Rama dhe Lulzim Basha shtrënguan duart në marrëveshjen më të diskutuar të viteve të fundit
Mijëra dollarë të padeklaruara tek autoritetet shqiptare ka paguar Partia Socialiste për të lobuar në SHBA. Syri TV siguron dokumentin ku 140 mijë dollarë janë paguar nga Partia Socialiste për lobim, në bazë të një kontrate të firmosur nga Endri Fuga, krahu i djathtë i Edi Ramës. Në emisionin Çim Peka Live kryeredaktori i Syri TV, Romir Saraçi bëri publike të gjitha dokumentet që tregojnë këtë lobim.
Por nga këqyrja e dokumenteve rezulton se kompania lobuese, veç 140 mije dollarëve me firmë të Fugës, ka marrë edhe mbi 1 milion dollarë nga Turqia, nga të cilat 750 mijë dollarë nga Qeveria e Turqisë dhe 350 mije të tjera nga HalkBank, e cilësuar si “Banka e Erdogan” dhe hetuar nga SHBA për transaksione të dyshimta, madje edhe për thyerje embargoje ndaj Iranit.
Deri këtu, këto pagesa nuk ngrenë asnjë dyshim. Por po të shohim aktivitetin e kompanisë lobuese Ballard, ngrihen pikëpyetje të mëdha. Lobistët e Ballard Partners janë takuar me zyrtarë te lartë të SHBA, e sipas deklarimeve të tyre, kanë lobuar për interesa të Shqipërisë dhe Turqisë njëkohësisht. Por se cilat janë interesat e përbashkëta që ka bashkangjitur lobimin mes Partisë Socialiste dhe Erdogan, i takon autoriteteve shqiptare të japin një përgjigje.
Në datë 6 qershor 2017, lobisti Brian Ballard ka komunikuar me zyrën e senatorit Marco Rubio siç duket në dokumentin e FARA, është diskutuar për Shqipërinë e Turqinë. Por ky nuk është i vetmi aktivitet ku lobistët kanë bashkërenduar interesat e Partisë Socialiste me Turqinë, pasi edhe në raste të tjera ka pasur kontakte me zyrtarët e SHBA, ku objekti ka qenë po i njëjtë.
Pikëpyetjet më të mëdha lidhen me financimin për këto lobime. Kur bëhet fjalë për lobim shtetëror të Turqisë, kontrata me Ballard nënshkruhet nga Ambasadori i Turqisë. Ndërsa për pagesën tjetër ku lobimi është i përbashkët për Shqipërinë e Turqinë pagesa kryhet nga HalkBank. I takon palëve përfituese të këtij lobimi dhe kompanisë lobuese për të sqaruar nëse nga pagesat e kryera nga banka turke, ka përfituar edhe Partia Socialiste.
Një tjetër pikëpyetje që ngrihet është fakti se nëse do të ishte lobuar për interesa të Shqipërisë përse këto kontrata duhet të nënshkruheshin nga Endri Fuga për llogari të Partisë Socialiste e jo për llogari të qeverisë shqiptare, e kjo mund të rriste edhe transparencën për këtë lobim.
Por ndryshe nga sa ndodh rëndomtë me pagesat për lobime, ku shtete e zyrtarë paguajnë për të ndikuar tek zyrtarët në SHBA, në rastin e Partisë Socialiste vihet re një anomali. Kontaktet më të shumta janë kryer për të ndikuar tek Ambasada e SHBA në Tiranë.
Në dokumentin e siguruar nga Syri TV, që i takon vitit 2017, rezulton se lobistët kanë pasur kontakte të vazhdueshme me ambasadorin e asaj kohe në Tiranë, Donald Lu. Për të arritur suksesin në lobimin e saj, kompania “Ballard Partners”, kontraktoi si konsulent dhe ndërmjetësues ish-kongresmenin demokrat Robert Wexler. Dita më e ngarkuar për Robert Wexler duket se ka qenë 17 maji i vitit 2017, ku pas një krize të zgjatur politike, Edi Rama dhe Lulzim Basha do të shtrëngonin duart në marrëveshjen më të diskutuar të viteve të fundit. Këtë ditë Wexler ka komunikuar disa herë me ambasadorin e SHBA në Tiranë, Donald Lu.
Nuk dihet se cila ka qenë përmbajtja e këtyre bisedave, por atë ditë Donald Lu ka kryer takime intensive si me Bashën, ashtu edhe me Ramën, e në mbrëmje shqiptarët panë se si kreu i qeverisë dhe ai i opozitës shtrënguan duart pas një takimi surprizë e të panjoftuar më herët.
Pas këtij suksesi, Robert Wexler ka intensifikuar kontaktet me ambasadorin Donald Lu, duke pasur 4 komunikime me telefon dhe e-mail, e në fund me një vizitë në Tiranë. Por kjo duket se nuk ka qenë puna e vetme e “Ballard Partners” për llogari të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Në këtë dokument faktohet se edhe disa qëndrime apo foto të shkrepura me zyrtarë amerikanë janë produkt i kësaj pagese dhe këtij lobimi.
Syri.net