PD e bashkuar, hapi i parë për fitoren e zgjedhjeve vendore!

Nga Bujar LESKAJ

Aktualisht, po bëhen përpjekje reale nga të dy pjesët e PD, që opozita të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore me synimin për të fituar ndaj Ramës e sektit të tij në pushtet. Për të arritur një marrëveshje, janë mandatuar dy deputetët, kryetari i Këshillit Kombëtar, z. Edi Paloka dhe ish- Sekretari i Përgjithshëm, z. Gazmend Bardhi.

Derisa të arrihet një marrëveshje do të ishte normale, demokratike dhe qytetare, sidomos nga deputetët, që të shmanget gjuha fyese, përçarëse e denigruese, etiketimet e ndryshme, të cilat na konsumojnë në luftën tonë të brendshme dhe i garantojnë pushtetin Ramës dhe sektit të tij.

Duhet të presim përfundimin e bisedimeve, të cilat uroj të jenë të sinqerta e pozitive për PD dhe opozitën, pasi mundësitë për të dalë me një kandidat ekzistojnë. Sikundër ekzistojnë mundësitë që të kemi marrëveshje më të gjera me çdo faktor opozitar për listën e këshilltarëve bashkiakë.

Finalizimi me sukses i këtyre bisedimeve është hapi i parë për fitoren e zgjedhjeve vendore. Kush nuk e kupton këtë, ose me vetëdije refuzon ta kuptojë, vetëm Partisë Demokratike nuk i shërben.

Gjatë gjithë kësaj kohe, shumë kanë folur me fjali të gjata e fjali të shkurtra, me fjali të plota e fjali të paplota për bashkimin.

Gjithmonë kemi insistuar për një bashkim jo me përjashtime, por bashkim, që nuk përjashton ASNJË demokrat dhe fton të gjithë kontributorët që nga 1990 e deri më sot.

Kundërshtari ynë i vetëm është një dhe vetëm një: abuzuesi i financave dhe pasurisë publike, dëbuesi i qindra- mijëra shqiptarëve, varfëruesi deri në ekstrem i Shqipërisë, grabitësi dhe blerësi me para, shantazhe e patronazhistë, me punësime sezonale e premtime legalizimesh i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, sekti Rama.

Këtë sekt e rrëzon vetëm një Parti Demokratike, e bashkuar, e hapur dhe e fortë; e cila duke respektuar votën e lirë, diversitetin e ideve, lirinë e shprehjes, primaret dhe hapjen e partisë; dhe së bashku me të gjitha forcat opozitare e progresiste të shoqërisë shqiptare, do të jetë fituese!

About Redaksia

Check Also

Qeveria asnjë plan për krizën demografike, si po shkon Shqipëria drejt plakjes

Shqipëria nuk ka një dokument të vetëm strategjik që të adresojë në mënyrë të integruar …

Leave a Reply