Analisti amerikan, Janush Bugajski në një koment për revistën boshnjake Istraga, shkruan se Perëndimi po tregohet shumë i butë me Beogradin. Sipas tij, nisma të tilla si ‘Ballkani i Hapur’ i shërbejnë vetëm Moskës dhe Beogradit dhe aspak qytetarëve të zakonshëm.
“Në Ballkan ka perceptime të përhapura se duke pajtuar Serbinë, qeveritë perëndimore kontribuojnë në fakt në destabilizimin e rajonit. Edhe pse presidenti Aleksandar Vuçiç ndjek axhendën e “Botës Serbe” dhe ngre armiqësi ndëretnike, ai trajtohet si një burrë shteti konstruktiv që mund të ndihmojë në garantimin e sigurisë rajonale. Ka dy arsye kryesore për këtë politikë perëndimore vetëdëmtuese: iluzioni i konvertimit dhe shmangia e rrezikut.
Udhëheqësit amerikanë dhe të BE-së duket se besojnë vërtet se liderët politikë si Vuçiç mund të shndërrohen në demokratë bashkëpunues. Kjo do të ndodhë përmes përfshirjes në takime dhe negociata të nivelit të lartë që do të krijojnë konfidencë dhe besim të ndërsjellë. Sipas këtij skenari, edhe një “ish” nacionalist dhe propagandist do të kuptojë se duhet të bëjë kompromise nëse Serbia do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofrohen fonde të konsiderueshme për anëtarësim.
Për fat të keq, një politikë e tillë e përfshirjes dështoi në mënyrë të neveritshme në rastin e presidentit rus Vladimir Putin. Për vite të tëra, qeveritë perëndimore u angazhuan në diskutime të pafundme, nënshkruan marrëveshje dhe mundësuan që energjia dhe paratë shtetërore ruse të depërtojnë në Evropë me shpresën e dëshpëruar se kjo do ta kthente Rusinë në një partner normal. Në vend të kësaj, depërtimi i Moskës në institucionet perëndimore pati efektin e kundërt, duke mundësuar shantazhin dhe zhvatjen nga Rusia, më të dukshme pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt”.
“BE-ja po e qetëson Vuçiçin pavarësisht politikës së tij pro-Kremlinit. Një politikë e vendosur do të ndërpriste çdo fond të para-anëtarësimit dhe do të pezullonte ofertën ndaj Serbisë për anëtarësim në BE, nëse qeveria nuk respekton konsensusin evropian për të sanksionuar Moskën për sulmin e saj ndaj Ukrainës. Edhe pse Parlamenti Evropian më në fund ka ndërmarrë një iniciativë të tillë, rezultatet mbeten të pasigurta. Serbia po bëhet një qendër për biznesin rus dhe sanksionet po anashkalohen pa asnjë pasojë.
Qeveritë perëndimore duken të pavëmendshme ndaj kërcënimit në rritje dhe madje mbështesin iniciativa të tilla si “Ballkani i Hapur”, duke besuar se do të nxisë bashkëpunimin rajonal. Në praktikë, nisma të tilla janë të dizajnuara për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës pa asnjë përfitim për qytetarët e zakonshëm.
Qeveritë perëndimore përballen me një zgjedhje të ashpër në trajtimin e nacionalizmit ekspansionist në Ballkan. Ata mund të vazhdojnë të besojnë se do t’i kthejnë radikalët në të moderuar ose mund të vendosin kushte dhe afate të rrepta për zbatimin e marrëveshjeve dhe të ndalojnë çdo përfitim financiar dhe ekonomik nëse nuk ka përputhje. Në fund të fundit, nuk ka rrugë të mesme”, shkruan Bugajski.