Simone Inzaghi ka lavdëruar paraqitjen e futbollistëve të tij kundër Barcelonës, teksa tha se Interi mund edhe ta kishte fituar ndeshjen krejtësisht.
Ndeshja e zhvilluar në “Camp Nou” dhuroi spektakël, teksa u mbyll me rezultatin 3:3. Ky barazim më shumë shkoi në favor të “Nerazzurrëve”, të cilët tani janë më afër kalimit për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
“Një barazim i rëndësishëm për mënyrën se si ishte zhvilluar ndeshja dhe për mënyrën se si shkoi pjesa e dytë. Kemi bërë një lojë të shkëlqyer me garë, agresion dhe vendosmëri. Na mungon hapi i fundit, por fillimisht kemi dy ndeshje të rëndësishme”, tha Inzaghi pas ndeshjes.
“Kjo skuadër ka bërë gjëra të rëndësishme për 15 muaj. E dinim që luanim kundër një ekipi shumë të fortë dhe cilësor, e meritonim të ishim përpara. Një mbrëmje e mirë por jo e shkëlqyer, me golin 4-3 do ta kishim mbyllur grupin me dy ndeshje më pak. Tani na mungon hapi i fundit. Jam mësuar me paraqitje të tilla me këta djem”, deklaroi trajneri italian.
Interi është i dyti në Grupin C me 7 pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve, tri më shumë se Barcelona që është e treta.
Në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve, Interi do të jetë nikoqir i Viktoria Plzenit.