Mbrëmjen e sotme në orën 20:00 do të protestohet përballë Ministrisë së Brendshme për vrasjen e 32-vjeçarit Lear Kurti nga forcat e policisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka shpërndarë thirrjen e të rinjve shqiptarë në median sociale për një protestë kundër vrasjeve policore.
Protesta e sotme vjen me moton: “Kupa u mbush! Boll me padrejtësinë! Stop ekzekutimit të shqiptarëve”.
Protesta organizohet nga të rinjtë shqiptarë një ditë pasi i riu Lear Kurti ndërroi jetë në duart e policisë.
“Sot, në ora 20:00, të gjithë në protestë para Ministrisë së Brendshme!”, shkruan Berisha.
Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Ai u ndalua dy netë më parë, në orën 23:07 të mbrëmjes nga efektivët në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi një ditë më parë për mediat se, Lear Kurti u vra nga kriminelët me uniformë.