Xhubleta shqiptare ka hyrë në UNESCO. UNESCO miratoi në formë unanime shpalljen e xhubletës dhe dijebërjen e saj, pasuri të UNESCO-s.
Xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi. Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjën e valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat.
Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholine, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj. Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmeri me veshjen e disa figurinave neolitike te gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera që i përkasin mijëvjeçarit të II p.e.s. Xhubleta e Malësisë së Madhe është trashëgimi e qartë e kulturës ilire, ndërsa emblema më e dukshme është shqiponja. Në misterin e xhubletës janë një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti, dashurinë dhe bukurinë e femres malësore.