Kim Mehmeti: Diktatorët i bëjmë ne, Ramën e bëri të tillë “aleanca e qelbësirave”

Shkrimtari Kim Mehmeti foli sot në News24 dhe për incidentin në protestën e opozitës dhe goditjen ndaj kreut të PD-së Sali Berisha si pasojë e frymës që ka sjellë Rama.

Mehmeti tha se atij është duke i ndodhur ajo që i dëshiron kryeministri i Shqipërisë. Ai tha se nuk ka dallim mes socializmit të djeshëm dhe demokracisë së sotme.

“Gjithmonë e më shumë zhytet në mosmarrëveshjet që kanë brenda vetes. Shqipëria duhet njëherë ta pastrojë plehun politik të këtyre 30 viteve. Nëse nuk prodhon një elitë të re politike, jo në moshë, por në mendësi, nëse Shqipëria nuk del nga mendësia se partia është më e rëndësishme se shteti atëherë nuk do keni shtet. Çdo gjë shqiptare, matet sa je ti pro rilindësve.
Ku është dallimi mes socializmit të djeshëm dhe demokracisë së sotme që jeton Shqipëria. Dje duhet t’i nënshtroheshe Enverit, sot piktori. Diktatura sot bëhet përmes internetit duke i kontrolluar gënjeshtrat.

Diktatura e djeshme nga të vërtetat e kontrolluara. Dje Enveri të vriste nëse braktisje Shqipërinë, sot të vrasin nëse nuk e braktis Shqipërinë. Të prish hotelin, ha ndonjë grusht fytyrës dhe dalëngadalë heshtet zëri i së vërtetës.
Diktatorët i bëjmë ne. Ramën e bënë të tillë të gjithë ata që e këshilluan të grumbullojë gjithë qelbësirat rreth vetes që të jetë në pushtet”, tha Mehmeti.

Sa i përket thirrjes së Metës se koha e fjalëve ka mbaruar, shkrimtari i njohur tha se prej kohësh fjalët e kanë humbur kuptimin në Shqipëri dhe se fjala hajdut ka peshë nëse ai që ia thua turpërohet.

“Prej moti në Shqipëri fjalën e kanë humbur kuptimin dhe nuk e kanë domethënien që kanë. Nëse dëgjoni fjalorin në parlament, fjalët kanë peshë kur prodhojnë diçka. Fjala hajdut ka peshë nëse ai që ia thua turpërohet.
Kur del kryeministri dhe thotë ai është i vdekur, janë spiunë të Rusisë, aty fjala vetëm krijon kaos, nuk ndërton asgjë, shton mjegullën që mos ta shohësh të vërtetën.
Më vjen keq nëse opozitës në Tiranë duhet t’i ndodhte kjo që ta kuptonte se fjalës i ka humbur kuptimi. Mendoj se këtu doktori e di. Ka diçka që duhet ta themi hapur, doktori duhet të sillet sipas asaj që të duket sa më paqësor, konstruktiv dhe është i kufizuar nga shumë anë dhe si do e çojë më tutje nuk e di”, tha Mehmeti.

Ai deklaroi se në Shqipëri ndodh diçka e çuditshme, zhduken partitë.
“Edhe PS nuk ekziston, kemi një grup njerëzish. Ndoshta partia e vetme që mundohet të konsolidohet të ringrihet është PD-ja. Ju nuk keni PS, PS është kryeministri. Si në diktaturë kur individi është parti dhe individi shndërrohet në shtet.
Ata ia shitën partinë Rilindjes në forma të ndryshme. Ia shitën sepse morën privilegje, përfitime vetjake. Nuk mund të kritikosh kur të ka dhënë ai. Ti nuk mund të bësh media, kur e di se i gjithë biznesi varet nga vullneti i këtij regjimi. Do bëhet gjithmonë e më e zorshme që ju të keni mendim kritik.
Sido që të ishte ai incident është prodhim i kësaj klime politike në Shqipëri. Nuk mund të them që ndonjë e ka dërguar atë, por e di që atë e ka dërguar aty fryma që është duke e mbjellë piktori në Shqipëri. Kjo frymë frymëzon të gjithë ata që mendojnë se duhet t’i shërbejnë këtij regjimi”, u shpreh Mehmeti.

Sipas tij, që ta mbulosh këtë regjim nuk mundet as vetëm me grushte, as vetëm me lëvdata, por të krijosh situata kinse je duke zbatuar ligjin, rrënon ndërtime.
“E gjitha ka për qëllim atë, të mbulojë një regjim, i cili dhe institucionet shtetërore i përdor për të mbuluar vetveten.
Ne mendojmë se të huajt janë shumë të brengosur pse i ndodh kjo Shqipërisë, të huaj më shumë duan të kenë një politikan të korruptuar por që do i qëndrojë, se sa një politikan që ka qëndrimet e veta.
Si në rastin e Vuçiç, Brukseli e di se ai është më i përdorshëm për ta.
Perëndimi e di, por disa qarqeve të Perëndimit iu përshtatet më shumë një politikan i tillë, të cilin e përdorin si të duan. Ndaj dhe ai iu jargavitet atyre sepse e di që e ardhmja politike varet nga ai”, tha Mehmeti.

Sa i përket protestave dhe qasjes që duhet të ketë opozita, ai tha se protesta e vërtetë do të ndodhë atëherë kur 200 mijë qytetarë të mbushin rrugët e Tiranës dhe ku piktori nuk do ketë rrugë nga të dalë.
“Sa më përket mua, protestat që organizohen në Shqipëri kanë një problem që i organizon opozita. Do ketë protesta të vërteta kur i organizojnë qytetarët. Sa kohë ti organizojë opozita do i jepni hapësirë dhe piktorit. Protestat që rrëzojnë regjime nuk i organizojnë partitë politike, i organizojnë qytetarët. Natyrisht opozita i shfrytëzon. Protesta e vërtetë në Tiranë ende nuk ka ndodhur. Do të ndodhë kur të dalin 200 mijë qytetarë të mbushin rrugët e Tiranës dhe ku piktori nuk do ketë rrugë nga të dalë dhe do mbetet në ndërtesë e kryeministrisë.
Po ne jemi paqësorë, por kur dikush na e grabit shtetin, çfarë të bëjmë, ta lusim, t’i përkulemi, t’i themi na e kthe shtetin se mbetëm pa shtëpi. Dalin qytetarët dhe i tregojnë sunduesit se shteti është i yni”, tha Mehmeti.

About Redaksia

Check Also

Administrata “Trump” do të rishqyrtojë “non gratën” për Berishën, takimet me stafin e tij

Ish-ministri Genc Pollo flet për situatën ku ndodhet opozita, rrugëdaljet, përndjekjen politike ndaj saj, mosbindjen …

Leave a Reply