Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 8 dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë. Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka shkruar se, kjo lëvizje që vrau frikën e diktaturës 32 vite më parë, duhet që të ngrihet sërish tani për shpopullimin e vendit. Po ashtu, Meta ka deklaruar se është koha për një angazhim historik, për të garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve.
Postmi i plotë
Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë! 32 vite më parë Lëvizja Studentore me në krye Azem Hajdarin vrau frikën dhe përmbysi mitin e diktaturës më brutale në kontinent. 8 Dhjetori e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë! Sot kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm kleptokratik është koha për një angazhim historik të të rinjve dhe të rejave në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë. Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve. Gëzuar 8 Dhjetorin!