Raportohet se edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX janë vendosur në afërsi të barrikadave në veri. Siç raporton Kosovaonline pjesëtarët e kontingjentit polak të KFOR-it ndodhen 150 metra nga vendi ku janë ngritur barrikadat në Rudar. Ata thonë se dy xhipa janë të pranishëm dhe në ta ka ushtarë.
Të enjten mbrëma, një zyrtar i Policisë së Kosovës u plagos gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.
Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet tranferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.
“Mbrëmë ka ardhur polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë”.
Ndërkohë, kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se njësitë që ishin në detyrë, “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.
Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.
Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës e shtoi praninë e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.
Kujtojmë se pas vendosjes së policëve në Lagjen e Boshnjakëve, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar, duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.
Petkoviçi ka deklaruar se Serbia “do ta shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë dhe, sipas tij, ky veprim do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).