Djali i punonjësit të policisë, njëri nga autorët e vrasjes së biznesmenit Papa

Njëri nga autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në 16 Dhjetor, në zonën e Selitës në Tiranë është djali i një punonjësi policie. Policia bëri të ditur se ka ndaluar dhe arrestuar njërin prej autorëve të vrasjes së Edmond Papës, shtetasin Albano Velo, i cili është djali i një punonjësi policie.

Menjëherë pas ndalimit të Albano Velos, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velo, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.

Burimet e policisë bënë të ditur se, Albano Velo, 30-vjeç, i lindur në Përmet dhe banues në Tiranë, ka qenë në rolin e personit i cili ka vëzhguar lëvizjet e viktimës dhe më pas, këto informacione ia ka dhënë ekzekutorit fizik, i cili rezulton të jetë një 44-vjeçar me inicialet A.B., i shpallur në kërkim.

Kamerat e sigurisë kanë qenë ato që kanë ndihmuar grupin e hetimit të bjerë në gjurmët e autorëvve dhe një makinë tip “Audi” e përdorur prej tyre, para se të kryenin vrasjen dhe pas, për t’u larguar.

Në funksion të hetimeve, me kërkesë të Policisë e Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Tiranës, disa persona janë mbajtur në përgjim telefonik dhe ambiental, duke ndihmuar kështu në dokumentimin e kësaj ngjarje.

Gjatë hetimeve, Policia sekuestroi makinën tip “Audi” dhe 3 telefonë celularë që do t’i nënshtrohen akt-ekspertimit, ndërkohë 30-vjeçari u arrestua pasi u kthye nga Franca, ku ishte larguar rreth 4 ditë pas vrasjes.

Hetuesit nuk konfirmojnë ende zyrtarisht motivin e vrasjes së shtetasit Edmond Papa, por burime thanë se ajo është pasojë e përplasjes së grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe Greqi.

Dyshohet se ajo mund të ketë lidhje me atentatin ndaj  Aleksander Sadikajt, i cili mbeti i vrarë kur makina e tij u hodh në erë me një minë të komanduar në distancë teksa po i afrohej rrethrrotullimit të TEG-ut në verën e vitit 2022.

Në rrjetin e tij social “Facebook”, konstatohet se Albano Velo ka pasur lidhje shoqërore me Aleksandër Sadikajn. Ai ka postuar fotografi nga resorti i tij në Tepelenë, ndërsa ka edhe disa postime me armë e shuma të mëdha parash, si dhe me babain e tij që pozon i veshur me uniformë policie.

Policia e Shtetit njoftoi se ka pezulluar nga detyra babain e 30-vjeçarit, një punonjës policie në Patrullën e Përgjithshme dhe se po kryen hetime të thelluara mbi të për këtë rast.

Përsa i përket ekzekutorit, policia ka qenë deri tani tepër diskrete.

Dyshohet që edhe ai të ketë lidhje shoqërore me Velon dhe Sadikajn, por zyrtarisht policia nuk ka konfirmuar deri tani asnjë pistë të motivit të krimit. Dyshohet se vrasësi që qelloi me 7 plumba mbi Aleksandër Papën mund të jetë larguar nga Shqipëria.

About Redaksia

Check Also

BIRN: 106 miliardë lekë të inceneratorit të Tiranës kanë shkuar në drejtim të paditur

Kompania koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila është aktualisht nën administrim shtetëror, ka dështuar …

Leave a Reply