Nga Agim XHAFKA
Dje në median shqiptare u dha lajmi, kryeministri Rama dhe zonja e tij shtruan një darkë për artistë dhe personalitete që janë në pension. Pas darke, usta Rama, që nuk e le rastin të bjerë në tokë, botoi një album me foto nga gazi dhe hareja e elitës shqiptare me të. Ra në sy si kulm i darkës puthja që një artist i dha atij në ballë.
Rrjetet sociale, krejt pritjen e quajtën shfaqje të pështirë, ndërsa këtë puthje, më e pakta e emërtuan, të turpshme.
Në fakt Rama ndaj i ftoi, t’i turpëronte. Pasi u jep një pension lëmoshë, që pa ndihmën e fëmijëve të tyre këta artistë nuk ngrysin dot javën, u ndau rolet si regjisor me përvojë. Të bëjnë atë që kanë bërë ndër vite e vite. Sërish të shërbejnë si shërbëtorë të partisë e të qeverisë.
A nuk u tha Enveri këtyre, krijoni drama për kolektivizimin e bujqësisë se do i le fshatarët pa tokë? A nuk i porositi, bëni ore këngë për jetën e lumtur? A nuk i nxiti të shanin kapitalizmin? A nuk na çoi tufa-tufa në teatër të shihnim sukseset e socializmit e në shtëpi darka jonë qe një gotë çaj dhe gjumë me barkun bosh?
Ja, fiks si atëherë u mblodhën pensionistët shërbëtorë. Qeshën dhe puthën kryeministrin, paçka se djemtë dhe vajzat e vendit ikin me gomone me dallgëve të tërbuara, paçka se çmimet kapën qiellin, paçka se ai që puthën na mbyti në borxhe,paçka se shkollat tani janë me katër turne, paçka se ajri në qytet helmon edhe gjarprin pa u afrua, paçka se jemi shteti më i varfër i Ballkanit.
Dje artistët pensionistë luajtën një rol të ri. Partia u dha të shkruar fjalët që ata do të thonë në filmin e zgjedhjeve që do shfaqet më 14 maj.E ata premtuan se si përherë do ishin gati. Në krah të dhunuesve si 50 vjet më parë.
Por tani do kishin një profesion tjetër. Do quheshin jo artistë, por patronazhistë. E sipas kontributit në qershor ndoshta presidenti do i dekorojë me: “Patronazhist i Popullit” apo “Patronazhist i Merituar”.
Dje në darkë artistët hëngrën e hëngrën si të babëzitur. Ne që i pamë, na i sollën zorrët te gryka…