Nga Dimitri Soibel, BILD
Sundimtari i Kremlinit, Vladimir Putin, planifikonte të pushtonte Kievin për tre ditë- tani lufta e tij kundër Ukrainës ka zgjatur më shumë se dhjetë muaj. Ushtria ruse ka pësuar humbje kaq të rënda, sa Putinit i duhet të mbushë njësitë e tij me kriminelë.
40 mijë kriminelë të dënuar po luftojnë tani në front në Ukrainë- shumë prej tyre vrasës, të dënuar në fakt me burgim të përjetshëm. Por nëse ata luftojnë për Putinin për gjysmë viti, i pret mosndëshkimi!
Videot e reja të Yevgeny Prigozhin, themeluesit të grupit famëkeq mercenar ‘Wagner’ shfaqen pothuajse çdo ditë në internet, teksa ai kërkon rekrutë të rinj në kampet e të burgosurve. Madje thuhet se ai po mendon të rekrutojë edhe gra nga burgjet.
Premtimi i mosndëshkimit i motivon shumicën e kriminelëve ‘të rrezikojnë jetën e tyre’, thotë aktivistja për të drejtat e njeriut, Olga Romanova. Ajo është themeluese e organizatës ‘Rusia pas hekurave’, e cila prej vitesh merret me burgjet.
“Tani kemi informacione se rreth 40 mijë të dënuar janë në front. Këto shifra konfirmohen edhe nga inteligjenca amerikane,” thotë Romanova.
Përdorimi i kriminelëve për luftë shkel madje edhe ligjet ruse: nga njëra anë, puna mercenare është e ndaluar në Rusi. Nga ana tjetër, të dënuarit nuk mund të lirohen nga burgu pa një vendim gjykate apo pa amnisti. Por kjo nuk duket se ka rëndësi për Putinin dhe xhelatët e tij!
Por kjo po sjell tensione brenda shoqërisë ruse, shpjegon Romanova. “Sepse të afërmit e viktimave po shohin se si vrasësit e dënuar po lirohen nga burgu para kohe. Kjo i zemëron ata”.
Edhe nëse një jetë në liri duket joshëse për kriminelët- shumë prej tyre e kuptojnë pasi dërgohen në Ukrainë se po përdoren si mish për top. Vetëm në zonën përreth qytetit Bakhmut në Ukrainën lindore thuhet se kanë vdekur mijëra prej tyre.
“Kjo është arsyeja pse po shtohen tentativat për arratisje. Kriminelët e dënuar ikin nga zonat e luftimit në brendësi, me armë në dorë,” thotë Romanova. Për këtë arsye, çdo përpjekje për arratisje dënohet menjëherë dhe me ashpërsi.
“Tani ka shumë raste të ekzekutimeve të dezertorëve,” thotë Romanova.
Dhe pavarësisht se mijëra kriminelë janë në vijën e parë, burgjet në Rusi mbeten plot. Ato tani po mbushën me ukrainasit e kapur dhe të rrëmbyer.