Një operacion i iniciuar nga autoritetet spanjolle kundër call-center në Shqipëri dhe i zhvilluar në mes të nëntorit 2022, zbuloi se Amant Josifi, një personazh i lidhur me eksponentë të rëndësishëm të qeverisë dhe familjes së Edi Ramës dhe një ish-këshilltari i Olta Xhaçkës kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, ishte një prej lojtarëve kyç i një organizatë të mirëfilltë kriminale, që kishte mashtruar mijëra qytetarë europianë, për një vlerë prej të paktën 2.4 miliardë euro.
Një pjesë e rëndësishme e hetimeve, të cilat në Shqipëri u koordinuan nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), deri më tani janë mbajtur sekret, duke ruajtur sidomos rolin e Amant Josifit në skemën gjigande, e cila është e shtrirë në shumë vende europiane.
Media ka arritur të sigurojë detaje nga dosja hetimore, ku zbulohet për herë të parë se si është ngritur mekanizmi i mashtrimit dhe roli i dorës së parë i Amant Josifit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë.
Hetimi për mashtrimin masiv ka nisur në Spanjë, në vitin 2018, pasi disa viktima të organizatës kriminale raportuan se ishin gënjyer nga platformat on-line në internet, për shuma që varionin nga disa qindra euro deri në disa qindra mijëra euro. Më tej, autoritetet spanjolle, në bashkëpunim me struktura të tjera hetimore ndërkombëtare, zbuluan se mashtrimi kishte prekur mijëra persona në Austri, Suedi, Gjermani, Finlandë, e të tjerë.
Roli i shqiptarëve
Hetimet e kryera nga prokuroria në Spanjë krijuan bindjen se anëtarët e organizatës kriminale në Shqipëri përbëheshin nga Amant Josifi, Ndriçim Sula, Berlando Saraçaj, Erindi Pysqyli, Lisien Bakiasi, të cilët besohet se janë drejtuesit e saj.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, u zbulua një lidhje e drejtëpërdrejtë e call center shqiptare ‘OTA Group”, ‘Apa Laison”, “Capital Investment Group”, “Biz Spot MT”, “IDM Technology”, “Noblen”, ‘Oritech” me të paktën 24 nga platformat e internetit, nga ku kryhej mashtrimi në Shqipëri.
Gjatë operacionit të kryer në Shqipëri, policia dështoi të arrestonte Amant Josifin, duke ngritur dyshimet e forta se aksioni ishte dekonspiruar. Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, akuzoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, se ka bërë gjithçka që ai t’i shpëtonte prangosjes.
Amant Josifi dhe Olsi Rama kanë qenë ortak të hershëm, që prej vitit 2014, në një kompani që ofron shërbime telekomunikacioni. Bashkëpunimi i tyre zyrtar përfundoi në fillim të vitit 2018.
Skema gjigande e mashtrimit
Viktimat e mashtrimit u kontaktuan nga persona që u paraqitën si agjent ndërmjetës, të cilët më pas rezultuan se ishin punonjës në call-center. Këta të fundit u ofronin investime fitim-prurëse në tregun “Forex”. Viktimave u premtoheshin fitime të mëdha, nëse bënin investime të vogla.
Organizata përdori teknologjinë e rrjeteve sociale dhe platformat inxhinjerike on-line. Personat e dëmtuar nga organizata kriminale ranë pre e mashtrimit, pasi agjentët ndërmjetës i bindnin se po vepronin nëpërmjet platformave izraelite “Profit” dhe “Metatrader”, të cilat kanë reputacion pozitiv.
Në fakt, kjo nuk ishte aspak e vërtetë, por gjithësesi shumë qytetarë europianë krijuan idenë se mund të fitonin të ardhura dhe investonin shuma të ndryshme parash herë pas here.
Ka pasur raste që individë të ndryshëm u kanë dorëzuar këtyre ‘agjentëve ndërmjetës” shuma që arrijnë deri në qindra mijëra euro.
Mashtrimi me “Metatrader”
Anëtarët e organizatës kriminale krijonin të dhëna të rreme, në bazë të të cilave bindnin viktimat e tyre të mashtrimit se fitimet e tyre po rriteshin në mënyrë eksponenciale në platformën “Metatrader”. Por, e gjithë kjo ishte një realitet virtuar i gënjeshtërt, i krijuar nga krahu inxhinjerik i organizatës kriminale.
Janë identifikuar raste kur “agjentët ndërmjetës” të rremë, duke përdorur besimin e dhënë nga viktimat e mashtrimit, bindnin këta të fundit që të instalonin në kompjuterat e tyre programe të kontrollit në distancë, si “Team Viewr” apo “Any Desk”, duke siguruar kontroll mbi pajisjet elektronike të qytetarëve.
Në momentin që viktimat dëshironin të tërhiqnin fitimet e supozuara, agjentët ndërmjetës të rremë kërkonin më shumë para, duke u justifikuar me kosto të ndryshme si pagim taksash, e të tjerë. Janë identifikuar shumë raste, kur agjentët e rremë ndërmjetësues kanë aksesuar llogaritë bankare të viktimave, duke u vjedhur kursimet e tyre.
Organizata kriminale
Është konstatuar se ky mashtrim masiv është realizuar nga një strukturë kriminale ndërkombëtare, shumë e kualifikuar dhe me degëzime në të gjithë botën. Prej kësaj skeme janë prekur mijëra individë dhe përfitimet llogariten në miliarda euro.
Organizata kriminale është e mirëstrukturuar, ku personat kryesorë i kanë të ndarë rolet dhe funksionet e tyre.
Në njërën anë është ekipi inxhinjerit.
Ky krah është përgjegjës për zhvillimin e pjesës së dukshme, asaj që operon në internet, ku përfshihen qindra faqe nën emrin e të njëjtit pronar dhe me funksion të ngjashëm, si në aspektin e operacioneve në bursën Forex, ashtu edhe në degëzime të tjera që lidhen me blerjen e monedhave dixhitale, Bitcoin, ose me kazinotë online.
Nga ana tjetër, është një ekip i fuqishëm financiar, i aftë për të transferuar paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit në zonat e njohura si “parajsa fiskale” dhe rikthimin e tyre, pas “pastrimit”.
Personat e mashtruar kanë deklaruar se kanë kryer pagesa në llogari bankare që gjendeshin në banka në Hungari, Austri, Hollandë apo Estoni, të cilat më vonë janë zhdukur përmes transfertave në llogari bankare të vendosura në parajsa fiskale. Janë zbuluar dhjetra kompani të lidhura me organizatën kriminale, të krijuara në vende të ndryshme dhe që shërbejnë si “guackë”.
Fillimisht, shfaqen kompani të regjistruara në vende si Bullgaria, Estonia, Qipro apo Mali i Zi, ndërkohë që kompanitë mëmë të tyre janë të regjistruara në parajsa fiskale, si në ishujt Marshall, Saint Vincent and Granadines, Mauirius, Vanuatu e të tjera.
Organizata ka krijuar shërbime call center për rekrutimin e viktimave dhe kontaktimin me ta gjatë gjithë procesit të mashtrimit. Mashtrimet që ka kryer organizata përfshin shumë shtete, si Spanja, Suedia, Finlanda, Gjermania, e të tjerë
Disa numra telefoni, që ishin të lidhur me platformat elektronike dhe që janë përdorur për të kontaktuar dhe mashtruar viktimat e kësaj skeme masive, kanë rezultuar me dy adresa IP (Internet Protocol) të lokalizuara në Shqipëri.Gjatë hetimit të këtyre telefonatave u zbulua vendndodhja e qendrave të thirrjeve në Shqipëri.
Faqet e internetit të përdorura nga organizata kriminale ndryshuan me kalimin e kohës. Kjo ishte një praktikë e zakonshme, pasi viktimat mund të kuptonin mashtrimin dhe faqja mund të ngarkohej me një reputacion të keq për shkak të vlerësimit të përdoruesve./Boldnews/